Komuna e Prishtinës do t’i largojë nga banesat që janë pronë në lagjen “Bregu i Diellit” familjet të cilat nuk janë raste sociale dhe invalidë të luftës. Ky vendim do hyjë në fuqi menjëherë.
Kështu tha në një konferencë për media drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, raporton Ekonomia Online.
Mirëpo, në këto banesa sipas Kukajt, banojnë asamblistë të PDK-së, Shemsi Veseli, dhe ai i LDK-së, Muhamet Gashi, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Halim Halimi si dhe anëtarë të tjerë të LDK-së, që siç tha Kukaj “i kanë marrë banesat me anë të pushtetit”.
Ai theksoi se theksoi se Komuna e Prishtinës nuk do të vazhdojë kontratat me të njëjtit, dhe do t’i rishqyrtojë edhe njëherë të gjitha rastet që kanë përfituar, ashtu që në dhënien e ardhshme për shfrytëzim të këtyre banesave të përfitojnë ata që kanë nevojë.
“Për banesat e ndara në ‘Bregun e Diellit’ të cilat janë rreth 50 banesa ne kemi vendosur që kategoritë e luftës, familjet me nevoja sociale do të jenë pjesë e këtij objekti banesor, por do t’i largojmë ata të cilët kanë uzurpuar këto prona”, ka thënë Kukaj.
“Pushtetet e kaluara të Prishtinës, duke përfshirë këtu drejtorë edhe kryesuesi i tanishëm Halim Halimi janë pronar të disa banesave në atë pjesë. Përfitues përveç Halimit është edhe tash asamblisti i Partisë Demokratike, Shemsi Veseli, pra të gjithë ata që nuk janë nevoja të veçanta të banimit do të largohen dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Kukaj.
Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë se bashkë me kryetarin Shpend Ahmeti janë duke bërë një plan që për tri vite të tjera të stabilizojnë me vendbanim familjet në nevojë në kryeqytet.
“Banesat që tashmë janë ndërtuar në Hajvali, do të përfitojnë 50 familje të cilat janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe se për këto kanë aplikuar 320 familje. Kurse, për të tjerët që mbesin e që janë 280 familje po përgatisim planin tre vjeçar, i cili do të zgjidhë përfundimisht çështjen e banimit dhe më nuk do të ketë getohizime, mirëpo familjet e tilla të shpërndahen nëpër blloqe të ndryshme nëpër gjithë qytetin ashtu që të socializohen dhe integrohen më lehtë në shoqëri”, ka thënë Vitia.