Agim Aliu, kryetari i komunës së Ferizajt është duke mbajtur konferencë për media lidhur me punën e tij 100 ditore si kryetar i kësaj komune. Aliu ka numëruar disa prej sukseseve të tij, gjatë këtij mandati.
Ka thënë se Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka arritur që vetëm brenda tri jave të konfiskojë rreth dy tonë mish të prishur.
“Vetëm për tri javë kemi konfiskuar 2 tonë mish dhe nënprodukte të tjera të mishit të prishur. Jam zotuar se shëndeti i qytetarëve do të jetë i garantuar sa i takon kompetencave tonë dhe këto rezultate janë domethënëse për garantimin e shëndetit të qytetarëve tonë”, ka deklaruar Aliu.
Kryetari i komunës që vije nga PDK është ankuar fillimisht në buxhetin e vogël të dhënë ndaj Ferizajt.
“Komuna e Ferizajt është e para nga tri komunat me gjendje me të dobët financiare, ky fakt ka shkaktuar shumë vështirësi për komunën tonë”, ka thënë Aliu.
Kujtojmë se skandali që kishte shpërthyer në Belgjikë me mish të prishur ka prekur edhe Kosovën. Kompania belge kishte eksportuar mish me afat të skaduar edhe në Kosovë.