Komuna do të propozojë hapësira të tjera për shtatoren e Çettës

Prishtinë | 14 Kor 2018 | 12:02 | Nga

Komuna e Prishtinës do të propozojë lokacione për shtatoren e Anton Çettës. Këtë e ka bërë të ditur vetë kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti.

Ai ka dalë me këtë deklaratë disa ditë pasi është bërë publike që Instituti Albanologjik i Prishtinës ka refuzuar që shtatorja të vendoset në oborrin e këtij institucioni. Por Këshilli organizativ, që ka kërkuar shtatore për mbledhësin e folklorit dhe prijësin e Lëvizjes për faljen e gjaqeve, nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga hapësira para IAP-së, që e ka kërkuar tash e dy vjet.

Sipas kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, Anton Çetta është një prej figurave më frymëzuese dhe emancipuese në Kosovë e më gjerë.

“Si i tillë, diskutimi për shtatoren duhet të jetë i kufizuar vetëm në gjetjen e vendit më të dinjitetshëm, jo vetëm si respekt për veprën, por edhe si shpërndarje e frymës së emancipimit, mobilizimit dhe ballafaqimit me problemet shoqërore në Kosovë, që ka frymëzuar Çetta. Si Komunë, gjatë javëve në vijim do të shqyrtojmë e propozojmë lokacionet për shtatoren”, ka thënë ai.

Ahmeti nuk i është përgjigjur gazetës nëse aktualisht ka ndonjë hapësirë të cilën Komuna do ta propozonte për ta vendosur shtatoren.

Riza Krasniqi nga Këshilli organizativ ka thënë se ata janë të gatshëm të mirëpresin çdo propozim. Por ka përmendur se ende janë duke shqyrtuar mundësitë që vendi i shtatores të jetë oborri i IAP-së. “Aktualisht jemi duke shqyrtuar çdo mundësi që shtatorja të vendoset në oborrin e Institutit Albanologjik. Përkrahja shumë e madhe që e kemi marrë këto ditë, nga të gjitha grupet shoqërore, përfshirë analistë e intelektualë, na obligon edhe më tepër që të insistojmë që shtatorja të vendoset para Institutit. Duke e ditur që kemi një përkrahje kaq të madhe, e kemi pothuajse të pamundur që të ndërrojmë mendim sa i përket lokacionit”, ka thënë ai.

Më 5 korrik, “Koha Ditore” ka raportuar se Instituti Albanologjik i Prishtinës ka refuzuar kërkesën që shtatorja e Çettës të vendoset në oborrin e këtij institucioni. Për udhëheqësit e IAP-së, oborri i këtij institucioni nuk është vend adekuat për shtatoren e Çettës. Në arsyetim kanë thënë se për një figurë si ajo e Çettës, shtatorja do të duhej të vendosej në ndonjë shesh të madh të qytetit, i cili do të pagëzohej edhe me emrin e mbledhësit të folklorit e udhëheqësit të Lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në fillim të viteve ’90. Problemet për lokacionin, ku do të vendosej vepra e artit, tash e dy vjet nuk kanë marrë epilog.

Vitin e kaluar vendosjen e gurit themeltar për bazamentin e shtatores e kishin penguar mosmarrëveshjet midis Institutit Albanologjik të Prishtinës me Komunën e Prishtinës e Ministrinë e Arsimit. Ministria e Arsimit kishte marrë leje nga Komuna e Prishtinës që shtatorja të ngrihej në oborrin e IAP-it. Mosarritja e një pajtimi kishte bërë që t’i skadonte afati pëlqimit për vendosjen e shtatores. Për një vit, sa kishte afat pëlqimi komunal, zyrtarët shtetërorë nuk kanë qenë në gjendje t’i bëjnë një zgjidhje kësaj çështjeje

E skulptori Agon Qosa, boceta e të cilit ishte përzgjedhur për të realizuar shtatoren nga konkursi i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në prill, është në përfundim të modelimit të shtatores.

Komuna do të propozojë hapësira të tjera për shtatoren e Çettës

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme