Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të martën duke folur për mosekzekutimin e pagave të muajit shtator për punëtorët e arsimit të cilët ishin në grevë, ka thënë se komunat të cilat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, nuk kanë raportuar në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, ndonëse e kanë obligim.
Këtë deklarim e ka demantuar Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), duke thënë se të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit.
Drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Telegrafin tha se vetëm punëtorët e sektorit të arsimit janë të prekur nga kjo situatë, pasi shërbyesit civilë kanë marrë pagën e shtatorit edhe pse kanë qenë në grevë bashkë me mësimdhënësit.
“Ajo deklaratë e ministres nuk qëndron. Të gjitha komunat i kanë dorëzuar listat e pagave para 10 shtatorit dhe niveli qendror e ka obligim ligjor t’i ekzekutojë pagat prej listave të pagave që dorëzohen nga komunat e jo të ndërhyjë se kujt duhet t’i bëhet pagesa e kujt jo”.
“Vetëm sektori i arsimit është i prekur nga kjo. Ne po shpresojmë dhe duam të besojmë që deri më 5 tetor kur edhe mbaron afati ligjor për ekzekutimin e pagave të merret parasysh. Po presim se çka do të ndodh deri nesër”, u shpreh Ibrahimi.
Ai shtoi se edhe në komunat e banuara me shumicë serbe, punëtorët e arsimit nuk janë paguar për muajin shtator anipse nuk kanë mbajtur grevë.
“Kam biseduar edhe me kryetarin e Parteshit dhe përfaqësues të komunave të Ranillugut dhe Novobërdës, ata kanë punuar, pra nuk kanë qenë në grevë megjithatë nuk kanë marra paga. Pra, nuk qëndron ajo se kush ka punuar ka marrë pagë. Po flas për sektorin e arsimit”, përfundoi Ibrahimi.
Ndryshe, ministrja Nagavci të martën përmes llogarisë së saj në Facebook, ka deklaruar se kompensim do të ketë, por për punën e bërë.
Ajo ka thënë se për këtë çështje kanë diskutuar edhe me kryesinë e SBASHK-ut, se a do t’i kompensojë sindikata pagat e mësuesve “ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”.
“Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi”, ka shkruar tutje Nagavci.
Greva në arsim dhe në administratën publike, në nivelin lokal dhe qendror, ka nisur më 25 gusht të këtij viti dhe është pezulluar më 1 tetor.
Sindikalistët kanë mbajtur grevën me kërkesë kyçe për ndarje të 100 eurove për punëtorë, për çdo muaj, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.
Qeveria, në anën tjetër, ka publikuar një pako për përballje me inflacionin dhe përmes saj ka ndarë nga 50 euro shtesë për tre muaj, për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Qeveria së fundmi ka hartuar Projektligjin për paga dhe ky dokument është në procedura të konsultimeve publike.