Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) mbajti modulin e katërt të programit LGA, ku në sesione të ndara u trajtuan financat, zhvillimi ekonomik dhe kohezioni social në komuna. Ky modul pati për qëllim njohjen e sfidave dhe perspektivave të financave lokale, si dhe rolit të rëndësishëm të ndërmarrjeve në zhvillimin ekonomik lokal dhe ofrimin e shërbimeve.
Ligjërues në sesionin e parë trajnues ishin Salvador Elmazi, drejtor në Departamentin e Buxhetit në Ministrinë e Financave dhe Besnik Tahiri, drejtor ekzekutiv në Institutin KLGI. Lidhur me financat lokale dhe komunikimin ndër-institucional, Elmazi ka bërë të ditur se janë identifikuar shumë probleme që kërkojnë zgjidhje dhe nuk mund të adresohen pa ndryshime ligjore të cilat mundësojnë një disiplinë më të madhe financiare, buxhetore por edhe fleksibilitet.
Njëra ndër sfidat kryesore u cilësua të jetë formula e financimit e cila nuk përkon me shërbim efikas si rezultat i marrjes së vendimit pa baza profesionale, të qëndrueshme dhe pa një analizë paraprake. Andaj, ekziston nevoja për analiza të thella dhe të detajuara para marrjes së vendimeve.Theks i veçantë u vu edhe në diskrecionin e ministrive të linjës për investime kapitale në komuna, ku konkludim i përbashkët ishte se Ligji për Financat e Pushtetit Lokal duhet të analizojë fuqinë e diskrecionit të komunave ose të jetë më i vogël.
Ndërkaq, në sesionin e dytë u trajtua roli i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik nga Agron Maxhuni, Sekretar i Përgjithshëm – MTI dhe roli i bashkëpunimit ndër-komunal nga Besim Kamberaj, udhëheqës i Departamentit për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal.
Komuna si dora e parë shtetit e ka të domosdoshme për të shpërthyer me zhvillimin ekonomik lokal. Përmes investimeve strategjike ekonomike, duke u bazuar në kapitalin natyror që ekziston në komuna të vogla, politikave dhe stimulimeve që duhet ti krijojnë ministritë e linjës si dhe në veçanti përfshirjen e sektorit privat në lokalitet ku ka kapacitet zhvillimi ekonomik lokal, perspektiva ekonomike mund të ketë sukses.
Sektori privat duhet mbështetur pasi që është e vetmja adresë për zhvillim ekonomik lokal dhe punësim. Është i domosdoshëm funksionalizimi dhe bashkërendimi i trekëndëshit të akterëve institucional: Ministritë e linjës-komunë-sektor privat. Qasjet tjera janë politika afat-shkurte dhe pa efekte reale në zbutjen e papunësisë. Andaj, bashkërendimi i politikave të nivelit qendror dhe të atij në komunë është domosdoshmëri e kohës.
Në kuadër të programit LGA janë 30 anëtarë, një nivel i lartë i përfaqësimit të komunave pjesëmarrëse: Prishtinë, Suharekë, Dragash, Mamushë dhe Kllokot. Në këtë grup janë përfshirë edhe anëtarë nga MAPL, Zyra Kombëtare e Auditorit dhe Shoqëria Civile
Krejt në fund, pjesëmarrësit punuan në grupe, ku patën rastin të shkëmbejnë sfidat dhe përvojat me të cilat ballafaqohen gjatë punës në baza ditore dhe të rekomandojnë zgjidhje.
Ky Modul mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Fondacioni Friedrich Ebert – FES.