Komunisti Fadil Hoxha do të “përjetësohet” në Gjakovë

Gjakovë | 13 Pri 2017 | 10:13 | Nga

Mimoza Kusari- Lila ka vendosur që para se ta përfundoj mandatin në krye të komunës së Gjakovës, ta bëjë qytetin e saj të lindjes me një shtatore. Bëhet fjalë për shtatoren e ish- udhëheqësit komunist, Fadil Hoxha.

Komuna tashmë e ka hapur konkursin për projektin ideor të vendit ku do të vendoset shtatorja në fjalë.

Sipas njoftimit të shpallur nga kjo Komunë, qëllimi i konkursit është që të arrihet deri të zgjidhja më e mirë ideore arkitektoniko-urbanistike, ambientale dhe artistike për rregullimin e ambientit për vëndosjen e shtatorës së Hoxhës, shkruan Infokusi.com

Projekti pritet të realizohet në afërsi të kryqëzimit të rrugëve “Nëna Terezë” dhe “Ismail Qemali”, pranë hotelit “Pashtriku” në Gjakovë. Ndërsa afati kohor për pranimin e aplikacioneve është caktuar 11 maj 2017.

Qysh para tri vjetësh në Gjakovë qenë mbledhur pesë mijë nënshkrime të cilat në formë peticioni i qenë dorëzuar Kusari – Lilës, për të përmbushur vendimin për ngritjen e shtatorës së Hoxhës i cili ishte marrë në vitin 2013 nga Kuvendi i komunës.

Gjatë një tryeze që ishte mbajtur në vitin 2014 në Gjakovë për figurën e Fadil Hoxhës, Mimoza Kusari – Lila, pati deklaruar se me gjithë bujën mediale dhe tendencën që jeta dhe vepra e një figure si Fadil Hoxha të interpretohet në forma të ndryshme, Komuna e Gjakovës do të përfillë respektin e banorëve për ta nderuar kontributin e tij.

“Kujtojmë fillet e ndërtimit të shtetit tonë që kanë kulmuar me Kushtetutën e vitit 1974, ku Kosova bëhet njësi e barabartë me gjithë republikat e ish-Jugosllavisë”, pati thënë Kusari – Lila, përcjellë AktivPress.

Nisma për vendosjen e shtatorës së Hoxhës, është kundërshtuar jo vëtem nga asamblistë të Gjakovës, por edhe nga historianë, të burgosur politikë e intelektual të shumtë.

Për ta është e pakuptueshme që në kohën kur shtetet që kanë dalur nga komunizmi kanë bërë shkëputje nga e kaluara, në Kosovë nderohen pikërisht figurat komuniste.

Rrok Luli, njëri nga asamblistët e Gjakovës, në kohën kur është marr vendimi për ngritjen e shtatorës së udhëheqësit komunist pati thënë: ”Unë nuk dua as ta dënoj Fadil Hoxhën, por nuk dua as t’i bëj lapidar Fadil Hoxhës”./AktivPress

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme