Komiteti për Komunitete e ka dënuar të premten rastin e paraqitjes së grafiteve fyese ndaj komunitetit serb në Gjilan, para dhjetë ditësh, duke kërkuar nga të gjitha komunitet që të mos ndikohen nga ky veprim i izoluar, por të vazhdojnë bashkërisht në forcimin e mëtejmë të raporteve të mira ndëretnike.
Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se vetë fakti që rasti është lajmëruar nga shqiptarët si dhe reagimi i shpejtë i policisë, tregon më së miri se aktet e tilla janë të papranueshme në Gjilan dhe është shprehur i bindur se ky qytet, edhe në të ardhmen, do të jetë një shembull i mirë i bashkëjetesës.
Përfaqësuesja e Policisë së Kosovës, Sadete Sadiku, ka thënë se policia ka reaguar me kohë, menjëherë pas raportimit të rastit nga qytetarët dhe në një afat të shkurtër, ka arritur ta identifikojë dhe arrestojë një të dyshuar, i cili gjatë marrjes në pyetje, ka deklaruar se nuk ka pasur tendencë të caktuar ndaj asnjë komuniteti, por këtë e ka bërë si tifoz i njërit prej klubeve të futbollit, pa vetëdije për pasojat, si reagim ndaj atyre që ka parë nëpër televizione, rrjete sociale e fusha futbolli, për shqiptarët.
Ajo ka nënvizuar faktin se thirrjet për këtë rast, policia i ka marrë nga qytetarët shqiptarë, të cilët kanë reaguar menjëherë, posa i kanë vërejtur këto grafite.
Përndryshe, rasti nuk ka ndikuar në prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, ku komuna e Gjilanit ka investuar me vite të tëra, falë edhe komunitetit serb, i cili është treguar i arsyeshëm në vlerësimin e rastit.
Shahin ka thënë se është i njoftuar që edhe vetë i dyshuari ka kërkuar falje për këtë veprim.
Edhe përfaqësuesit e komunitetit serb në Komitet, thanë se nuk kanë vërejtur ndonjë tendencë të acarimit të raporteve ndëretnike pas këtij rasti. Raste të këtilla mund të ndodhin, ka thënë Tomisllav Naskoviq, duke përmendur edhe një provokim në Velekincë, që ishte bërë para disa muajve nga një pjesëtar i komunitetit serb, por ka sugjeruar që aktet e izoluara të mos merren shumë parasysh.
Ibish Ibishi ka thënë se komunitetet duhet të ndihen të sigurta, sepse janë organet e shtetit ato që kujdesen për sigurinë e tyre dhe të të gjithë qytetarëve tjerë, prandaj Gjilani është shembull sa i përket tolerancës ndëretnike.