Në përmbyllje të fushatës kundër dhunës në baza gjinore, Ambasada e Francës dhe Grupi Kosovar për Avokim kanë mbajtur konferencë për medie me fokus dhunën në baza gjinore kundër grave nga pakicat rome, ashkali dhe egjiptiane (RAE), raporton Ekonomia Online.
Drejtoresha e KAG-ut, Minoza Gavrani, tha se komunitetet RAE në përgjithësi e sidmos gratë janë përjetues të dhunës në baza ditore.
“Jemi duke përfunduar shënimin e përfundimit të 16 ditëshit kundër dhunës në Kosovë e cila është kampanjë për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit. Ne të gjithë jemi dëshmitar që komunitetet RAE janë përjetues të dhunës në baza ditore po ashtu edhe gratë. Në raste ekstreme dhuna duhet patjetër të raportohet”.
Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christin Butel, tha se qëllimi është që të parandalohet dhuna ndaj grave. Ajo tha se janë të angazhuar në mënyrë serioze në këtë drejtim.
“Jam shumë e lumtur që jam në mesin e juaj sot. Konferenca e cila ka të bëjë me përmbylljen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave. Kjo kampanjë ndërkombëtare ka për qëllim ta sensibilizojë secilin prej nesh ndaj dhunës rreth grave. Dhuna kundrejt grave ka të bëjë dhe ekziston në mbarë botën si në Francë ashtu edhe në Kosovë. Dhuna ndaj grave është një temë kryesore edhe e kampanjës së Presidentit Macron në mandatin e tij. Institucionet tona janë të angazhuara në mënyrë serioze për këtë kampanjë”.
“Barazia mes grave dhe burrave përbën një parim themelor i cili krijon themelet e sistemeve tona demokratike dhe shteti të së drejtës. Sot ende në Francë dhe Kosovës gratë dhe vajzat e reja janë më të rrezikuara për dhunën në përgjithësi dhe dhunën seksuale”, tha Marie Christin Butel.
Sipas saj, ana tradicionale dhe sistemi patriarkal e bëjnë këtë pikë më të vështirë për të folur rreth dhunës.
Ajo tha se gratë duhet t’i ndjekin ambiciet e tyre personale dhe profesionale dhe kjo duhet të fillojë që në fëmijëri.
“Është më të vërtet që gratë t’i realizojnë ambiciet e tyre personale dhe profesionale dhe kjo fillon nga fëmijëria ku vajzat e vogla të kenë qasje në arsim dhe të mbrohen nga dhuna. Është e nevojshme që gratë viktima të kenë qasje në polici dhe në drejtësi”.
Drejtori në BRAN, Bajram Gashi, tha komuniteter RAE janë më të margjinalizuarat në shoqëri.
“Takimet e tilla tregojnë me të vërtetë që ne po dëshirojmë me u marr me këto çështje. RAE janë komunitetet më të margjinalizuara në shoqëri. Por gjendja e grave në këto komunitete është edhe 10 herë më i madh dhe ajo fillon qysh në lindje. Në familjet e RAE mesatarja është 5 fëmijë, por djemtë ndjekin shkollën ndërsa vajzat jo. Vajzat janë shumë më të suksesshme në shkollat fillore dhe ato të mesme. Mirëpo momentin që vajza dëshiron me i ndjek studimet po pengohet nga familja sepse larg shtëpisë. Por faktikisht kanë qenë vajzat ato që po ja zbardhin fytyrën familjes. Po ashtu vajzat edhe martohen pa dëshirën e tyre. Gratë e këtyre komuniteteve kanë përjetuar dhunë por kohëve të fundit kanë fillu me raportu”, tha ai, raporton EO.