Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Rifat Latifi ka zotuar gjysmë milioni dollarë për këtë kirurg.
Atij i janë bashkuar, Harry Bajraktari me (100,000$), Rrustem Gecaj me(100,000$) dhe Xhafer Gecaj me (50,000$) – por ftesa është e hapur për të gjithë në komunitetin shqiptaro-amerikan që të bashkohen dhe të kontribuojnë për këtë kauzë të madhe.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Dr. Latifi, në ditët e fundit të vitit 2018 u krijua Kolegji i Kirurgëve të Kosovës (foto sipër) dhe ju u zgjodhët President i tij. Për më tepër, ju keni marrë përsipër rifillimin e botimit të Revistës së vetme Shkencore Mjekësore në Kosovë, Gazeta e Kirurgjisë së Kosovës. Tani ju jeni duke udhëhequr një përpjekje të madhe për të mbledhur fonde të mjaftueshme që sigurojnë punën e këtij institucioni të rëndësishëm mjekësor për dekadën e ardhshme. Çfarë e frymëzoi këtë iniciativë të re?
Dr. Latifi: Ky frymëzim ishte i lehtë. Thjesht, kur shikojmë prapa se çfarë ka ndodhur në kirurgji dhe mjekësi në përgjithësi për tre dekadat e fundit në vendet tona, e kuptojmë se duhet gjetur një zgjidhje. Pra, krijimi i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe rifillimi i botimit të Gazetës së Kirurgjisë në Kosovë pasqyron një moment të rëndësishëm në historinë e shkencës dhe praktikës kirurgjikale në Kosovë, e cila aktualisht gjendet në një pikë kritike dhe në një udhëkryq. Ajo plotëson një boshllëk të madh në proceset tona organizative dhe shkencore për më shumë se 800 kirurgë të Kosovës si dhe qindra kirurgë të tjerë kosovarë që praktikojnë këtë profesion në tërë botën. Deri më tani kirurgët kosovarë nuk kishin një vend ku të mblidheshin dhe të shprehnin shqetësimet e tyre në një formë qëllimisht të strukturuar dhe të vlerësuar nga kolegët. Tani Kolegji dhe Revista janë ai vend.
Për më shumë se tre dekada praktika e kirurgjisë në Kosovë është gërryer, shkatërruar dhe zvogëluar në kuptimin e ndihmës së parë të thjeshtë si dhe ka shërbyer më shumë si një “kalim përmes shërbimit” për pacientët gjatë udhës për në institucionet e tjera kirurgjikale në rajon ose qendra të tjera mjekësore evropiane. Në spitalet tona nuk janë kryer me dekada procedurat komplekse dhe të avancuara kirurgjikale dhe më pas nuk u janë mësuar kirurgëve tanë të rinj. Për më tepër, procedurat komplekse dhe të avancuara për pacientët e Kosovës kryheshin dhe ende po kryhen në vendet tjera, të paguara nga Qeveria e Kosovës, por kryesisht nga qytetarët tanë privatisht. Shkenca kirurgjikale dhe hulumtimet kirurgjikale po zvogëloheshin duke u bërë të pavëmendshme dhe inekzistente. Pra, brenda 30 viteve, në vend që të udhëtonim në horizontet e reja të botës së kirurgjisë, ne kemi udhëtuar prapa në shekullin e kaluar dhe në drejtimin e kundërt të pjesës më të madhe të botës së kirurgjisë. Ne nuk kemi kryer ndërhyrje kirurgjikale komplekse dhe nuk kemi publikuar punime shkencore. Kështu që, nëse ne nuk botojmë, ne zhdukemi. Ajo që ka pasuar është kaosi kirurgjik. Në këtë cikël vicioz, kirurgë të rinj, mjekë të tjerë, madje edhe studentë të mjekësisë po largohen nga vendi, edhe 20 vjet pas përfundimit të luftës. Në fakt, rishtazi kjo ka marrë përmasa epidemike. Për 20 vitet e fundit gjendja e mjekësisë dhe kirurgjisë nuk ndryshoi shumë dhe më e rëndësishmja, qeveritë as nuk morën masa minimale për të përmirësuar kushtet e punës në mënyrë që të përmirësonin të ardhmen e kirurgëve dhe studentëve më të mirë dhe më të ndritshëm të kirurgjisë. Secili prej nesh ka një anëtar të familjes apo mik që ka marrë dhe ose ka kërkuar ndihmë kirurgjikale dhe mjekësore jashtë Kosovës gjatë njëzet viteve të fundit. Shumica prej nesh paguan për ato shërbime. Pra, është e domosdoshme që të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm të kujdesit shëndetësor, bazuar në shkencë dhe jo në politikë dhe interesa vetjake.
Pyetje: Tani ju përsëri jeni duke udhëhequr përmes shembullit me një zotim për të kontribuar gjysmë milioni dollarë për dhjetë vitet e ardhshme. Ky është një gjest i mrekullueshëm bujarie nga ana juaj, por edhe një akt besimi në rëndësinë dhe aftësitë e këtij Kolegji të Kirurgëve. Si është duke ndihmuar Kosovën ky ‘organ shkencor dhe avokues’, siç e keni përshkruar në një intervistë tjetër?
Dr. Latifi: Secili prej nesh duhet të udhëheqë me shembullin e vet. Siç thuhet, ne duhet të ‘realizojmë në praktikë atë që e flasim’. Unë e kam bërë këtë, por edhe të tjerët më janë bashkuar, dhe unë shpresoj që edhe të tjerë do të na bashkohen. Ne nuk mund të kërkojmë që vetëm qeveritë dhe organizatat donatore të na ndihmojnë. Duhet të ofrojmë edhe paratë tona. Misioni i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është të unifikojë të gjithë kirurgët praktikues, si në spitalet dhe institucionet akademike publike edhe ato në praktikën private në tërë vendin, kursantët e çdo disipline kirurgjikale dhe studentët e mjekësisë që do të ndjekin kirurgjinë në të ardhmen. Kjo do të bëhet përmes edukimit të strukturuar të vazhdueshëm, ndryshimeve të politikave të organizuara përmes komiteteve të ndryshme, përmbajtja dhe aktivitetet e të cilave do të avancohen gjatë viteve të ardhshme, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e kujdesit kirurgjik, të rritet qasja kirurgjike për të gjithë pacientët, të zvogëlohen ndërlikimet, si dhe të përmirësohen rezultatet, e po ashtu edhe për të ulur koston e kujdesit për të gjithë.
Misioni kryesor i Kolegjit të Kirurgëve është të bëhet partner i Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës dhe Dhomës së Mjekëve të Kosovës në ofrimin e cilësisë më të lartë të kujdesit, duke krijuar protokolle transparente për kujdesin kirurgjik në të gjithë spektrin e spitaleve dhe specializimeve. Rritja e cilësisë së kujdesit kirurgjikal në shkallë vendi do të zvogëlojë (nëse jo plotësisht të eliminojë) transferimin e pacientëve në vendet tjera që shkojnë madje edhe për kirurgji bazike. Objektivi i Kolegjit është që të bëhet organi akreditues i cilësisë si për kirurgë individualë ashtu edhe për spitalet e vendit dhe shërbimet që ata ofrojnë, duke përdorur kujdesin kirurgjikal të bazuar në provat më të fundit.
Përmirësimi i cilësisë së kujdesit kirurgjikal do të çojë në qasje më të madhe për pacientët, më pak komplikime dhe rezultate më të mira, duke ulur kështu koston e kujdesit. Gjatë pesë viteve të ardhshme, programet e përmirësimit të cilësisë do të përmirësojnë cilësinë në traumë, kujdesin ndaj kancerit, operacionet urgjente si dhe në përgjithësi në të gjitha disiplinat kirurgjikale.
Gjatë 10 viteve të ardhshme Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do të punojë shumë ngushtë me kolegje ndërkombëtare dhe shoqata/shoqëri kirurgjikale në të gjithë globin si dhe partnerë të fushës për të nxitur marrëdhëniet, për të përmirësuar udhëheqjen e Kolegjit, për të përmirësuar arsimin, për të punuar projekte kërkimore në bashkëpunim, dhe për të rritur cilësinë e kujdesit kirurgjik. IVeH dhe partnerët akademikë (Kolegji Amerikan i Kirurgëve, Kolegji Mjekësor i Nju Jorkut, Qendra Mjekësore Westchester, Valhalla, Nju Jork dhe të tjerët) do të ndihmojnë me këtë projekt për të paktën pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme duke përdorur strategjinë tonë Fillo – Ndërto- Opero -Transfero (IBOT) që ne kemi përdorur me sukses në krijimin e programeve të telemjekësisë në Kosovë, Shqipëri, Cabo Verde dhe Vietnam. Qëllimi ynë është që Kolegjin ta bëjmë drejtuesin kryesor të programeve të përmirësimit të cilësisë dhe transformimit të të gjitha disiplinave kirurgjikale, krijimit të mekanizmave të ndërtimit të udhëheqjes në kirurgji, që do ta çojë Kolegjin në lartësi të reja të kirurgjisë moderne, të vendosë transparencën e plotë të cilësisë së kujdesit kirurgjik, si dhe ta bëjë Kolegjin një partner solid të komunitetit ndërkombëtar të kirurgjisë.