Anëtarja e organizatës ORCA, Adea Kondirolli, ka thënë se arsyet që janë listuar nga Këshilli Drejtues për shkarkimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, nuk janë mjaftueshëm të forta.
“Arsyet mund të jenë komplet tjera pse rektori dhe menaxhmenti janë shkarkuar, por asnjëra prej atyre pikave që është listuar nuk përbën arsye të fortë për të shkaktuar një menaxhement, i cili për herë të parë që pasluftës nuk ka pasur asnjë skandal, siç ka pasur në të kaluarën”, tha Kondirolli në Info Magazine të Klan Kosova.
Kondirolli tha se ky vendim mund të ketë edhe prapavijë politike, pasi iniciuesit për shkarkimin e Sahitit janë anëtarët e emëruar nga Ministria e Arsimit.
“Nuk ka arsye për aspektin e performancës, kjo është vetëm një aventurë që i kanë hy Këshili Drejtues dhe anëtarët specifikë të Këshillit Drejtues, meqenëse ka qenë e iniciuar prej grupit të anëtarëve të Këshillit Drejtues që janë të emëruar nga Ministria”.
Anëtarja e ORCA-s tha se gjatë kohës së Sahitit në pozitën e rektorit të UP-së, janë bërë përmirësime të dukshme, mes tyre edhe ngritja e nivelit të kritereve për t’u bërë profesor.
“Në dy vitet e fundit të mandatit tani të kryer të menaxhmentit, të gjitha proceset e avancimeve akademike kanë shkuar në rregull, nuk ka pasur persona që janë avancuar apo që kanë marrë tituj akademikë, pa i merituar ato. Për më tepër është ngritur niveli i kritereve për t’u bërë profesor. Janë kritere shumë më rigoroze në krahasim me universitet e tjera publike në Kosovë dhe është një cilësi pak më e lartë e punimeve shkencore të cilat pranohen për avancim. Në dy vitet e fundit nuk ka pasur raste të kalojnë njerëz që nuk i plotësojnë këto kritere. Në këto dy vite po ashtu kemi parë përmirësim të transparencës. Ka pasur shumë zhvillime pozitive brenda UP-së”.