Konferenca për arsimin gjatë gjithë jetës, Nagavci bën thirrje për reforma dhe bashkëpunim

Prishtinë | 18 Sht 2025 | 10:35 | Nga Drita Dërmaku

Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me temën “Arsimi gjatë gjithë jetës: qasje gjithëpërfshirëse nga fëmijëria e hershme deri te arsimi profesional” ka bashkuar ekspertë për të diskutuar qasjet moderne në edukim dhe rëndësinë e përfshirjes së të gjitha grupmoshave në procesin arsimor, raporton Ekonomia Online.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, gjatë kësaj konference tha se nëntemat e konferencës përputhen me prioritetet e Ministrisë, si zhvillimi i edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i kurrikulave e menaxhimi cilësor i institucioneve arsimore, ndër tjerash.

“Gjashtë nëntemat e kësaj konference, që do të pasurohen nga kontributet tuaja, përputhen me vizionin dhe veprimet tona në Ministrinë e Arsimit: zhvillimi dhe avancimi i edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i kurrikulave, zbatimi i parimeve të gjithëpërfshirjes në arsim, menaxhimi cilësor i institucioneve arsimore, zhvillimi dhe avancimi i karrierës së mësimdhënësve, digjitalizimi dhe arsimi profesional”, theksoi Nagavci, raporton EO.

Ministrja në detyrë bëri thirrje për bashkëpunim.

“Le ta shohim arsimin gjatë gjithë jetës si një udhëtim të përbashkët. Të punojmë së bashku për të zhvilluar reformat e nevojshme, duke u mbështetur në të dhëna dhe në kërkime të thelluara shkencore, sepse ky është thelbi i zhvillimit tonë”, tha Nagavci.

Drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Osman Buleshkaj, theksoi përballjen me mungesa të objektit, stafit dhe buxhetit.

“Natyrisht, rruga jonë nuk ka qenë dhe nuk është pa sfida. Ne përballemi ende me mungesën e një objekti të dedikuar për veprimtarinë tonë, me mungesën e stafit shtesë profesional dhe shkencor, si dhe mungesë të buxhetit për të ofruar mbështetje profesionale për shkollat”, tha Buleshkaj.

Drejtori tha se çdo shkollë do ta ketë përkrahjen e Institutit.

“Roli i Institutit është të jetë katalizator i këtij transformimi – të krijojë ura mes politikave dhe praktikës, mes shkollës dhe komunitetit, mes dijes vendore dhe përvojës ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar për të qenë partner i çdo shkolle, mbështetës i çdo mësuesi dhe zë i fuqishëm për avancimin e arsimit në vendin tonë”, shtoi Buleshkaj.

Të ngjashme