Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren sot nisi punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “XV European Conference on Social and Behavioral Sciences”. Këtë konferencë e organizojnë 12 universitete ndërkombëtare, në mesin e tyre edhe UPZ dhe UGJFA, ndërsa marrin pjesë 200 studiues anekënd botës.
Nikoqiri i kësaj konference, rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj, në fjalën e tij në ceremoninë e hapjes solemne tha se për universitetin që drejton është nderë dhe privilegj që të bëjë bashkë numër kaq të madh të studiuesve. Ai theksoi se tashmë në UPZ organizimi i konferencave të këtij primati është bërë traditë, si rezultat i bashkëpunimit të frytshëm me shumë universitete, posaçërisht me universitetet nga Turqia. Rektori Vataj shtoi se studiuesit, përpos që do të prezantojnë punën e tyre shkencore në fushat përkatëse, do të kenë mundësi që të shijojnë bukuritë e qytetit të lashtë të Prizrenit, i cili ofron shumë si në aspektin e turizmit, por edhe gastronomisë mjaftë të pasur.
Edhe Prof Dr. Hasan Arslan, theksoi se ndihet i nderuar dhe i privilegjuar që bashkë me Universitetin e Prizrenit kanë arritur të organizojnë këtë konferencë shkencore ndërkombëtare.
Rektori i UGJFA, Prof. Dr. Shaban Buza dhe Prof. Asoc. Engin Demirel me këtë rast prezantuan punimet e tyre në fushat përkatëse.
Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “XV. European Conference on Social and Behavioral Sciences” do të vazhdojë punimet edhe të premten ku gjithsej do të prezantohen 147 punime nga studiues të shteteve të ndryshme nga mbarë bota.