Konfindustria kundër vendimit për kufizimin e importit të veturave

Prishtinë | 03 Nën 2018 | 12:12 | Nga Ekonomia Online

Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë , Gjergj Buxhuku  ka reaguar për vendimin e ekzekutivit për rregullat e kufizimit te hyrjes se automjeteve në Kosovë. Konfindustria vlerëson, se vendimi i nuk ka asnjë ndikim në qëllimin e pretenduar të ekzekutivit për mbrojtjen e mjedisit.

Reagimi i plotë:

Konfindustria vlerëson, se vendimi i ekzekutivit për ndalimin e importit të automjeteve me moshë mbi 10 dhe 15 vjecare të prodhimit, është i pambështetur në arsyetimin përkatës për përmirësim të mjedisit, godet me dhjetra milionë euro kosto shtesë qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare dhe sjell përfitime vetëm për një numër të vogël biznesesh koncesionarë.  Është e papranueshme, që vendime të tilla me ndikim të thellë te qytetarët dhe bizneset nuk arsyetohen nga vlerësime të plota ekonomiko financiare shoqëruese, mbështetur në interesin publik në afatgjatë.

Së pari, ndotja nga shkarkesat e gazrave të automjeteve në masën mbi 95% vjen nga cilësia tepër e dobët e karburanteve jashtë standartit, që qarkullojnë në tregun shqiptar. Automjetet të asnjë modeli dhe moshe nuk bëjnë përpunim teknologjik të karburantit dhe si rrjedhim praktikisht masa e mësipërme e ekzekutivit nuk do të ketë asnjë ndikim në përmirësimin e cilësisë së ajrit. Qeveria duhet të kishte parësore punën për të kontrolluar dhe përmirësuar me cdo kusht dhe sa më shpejt cilësinë e karburantit në qarkullim në treg dhe vetëm më pas të sillte vendime, që prekin nivelin ekonomik të drejtpërdrejt të qytetarëve dhe biznesit për më shumë me përfitim publik të dyshimtë.

Së dyti, rregulli bazë i lejimit të automjeteve në cdo vend normal është kontrolli i përmbushjes teknike të cilësisë së gazrave të prodhuara dhe jo viti i prodhimit. Është shumë e mundur, që automjeteve më të reja të prodhojnë gazra shkarkues me standarte më të ulta, varësisht tipit/markës përkatëse. Gjithashtu, masa e mësipërme praktikisht shënon dështimin zyrtar të koncesionit monopol të kolaudimit të automjeteve, që kushton me miliona euro/vit për qytetarët dhe bizneset.

Së treti, masa e mësipërme do të rrisi ndjeshëm koston e importit të makinave për qytetarët dhe bizneset shqiptare. Shqipëria është vendi me numrin më të vogël të automjeteve në zotërim në Rajon dhe njëkohësisht 2-3 herë më të ulët sesa mesatarja e vendeve të BE. Shkalla e ulët e motorizimit ndikon drejtpërdrejt në efektivitetin dhe aftësinë konkuruese të ekonomisë kombëtare krahësimisht vendeve të tjera.

Konfindustria, mbështetur në arsyetimin e mësipërm, si zgjidhje optimale do ti kërkojë zyrtarisht  ekzekutivit rritjen në 5 vjet të vitit të prodhimit të automjeteve të lejuara dhe ndërtimin e masave të prekshme për cilësinë e karburanteve në qarkullim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme