Trajneri i Fenerbahçes, Volkan Demirel ka dhënë bekimin e tij që ky klub të vazhdoj tutje me marrjen e Florent Hadergjonajt, raporton media turke, ‘Asist Analiz’.
Më parë është raportuar nga ‘Sabah’ se Fenerbahçe ka qenë duke monitoruar performancat e Hadergjonajt gjatë ndeshjeve të tij me Kosovën, e të cilat duket se kanë impresionuar agjentët e tyre, transmeton Koha.net.
Sipas raportimeve të fundit, trajneri Demirel i ka thënë Fenerbahçes që ta sjellë atë në Turqi, gjë e cila mund të ndodhë më së shpejti në janar, gjatë kohës së transferimeve.
Florent Hadergjonaj luan në pozitën e mbrojtësit në klubin e Huddersfield Town si dhe në Përfaqësuesen e Kosovës.
Duket se Fenerbahçe është duke synuar marrjen e Hadergjonajt për shkak se dy mbrojtësit e saj, Nabil Dirar e Mauricio Isla, kanë kontratë vetëm deri në fund të sezonit, ndërsa edhe sulmuesi i tyre, shqiptari Vedat Muriqi, ka folur me mbrojtësin rreth jetesës me gjigantët turkë.
Hadergjonaj i është bashkuar Huddersfieldit nga ekipi gjerman Ingolstadt, gjatë verës së 2017-ës, e që nga atëherë ai ka bërë 60 paraqitje në të gjitha garat me këtë ekip.
Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës ka kontratë edhe për 2 vitet e ardhshme me Huddersfieldin, deri në verën e 2021-ës, ndërsa ky klub ka edhe opsionin për të vazhduar kontratën edhe për 12 muaj të tjerë.
Për këtë Huddersfield nuk është edhe aq i shqetësuar, pasi ka kontratë realisht edhe për 3 vite me të, që do të thotë se ata do të jenë në pozicion të mirë për të negociuar çfarëdo oferte të mundshme për mbrojtësin.