Policia e Kosovës njofton se ka konfiskuar 144 mijë euro në një aksion në tri qytete kundër krimit të organizuar, shmangie nga tatimi, armëmbajtje pa leje e organizim i skemave piramidale.
Sektori i hetimeve në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimit te Organizuar, ka ndërmarr një Operacion Policor në rajonet: Prishtinë, Ferizaj dhe Prizren.
“Veprimet operative janë zhvilluar bazuar në urdhëresë të Gjykatës kompetente me ç‘rast janë kontrolluar 8 lokacione të ndryshme në të cilat ishin zhvilluar aktivitete të paligjshme me lojëra te fatit. Operacioni është zhvilluar edhe me asistencë të Njësisë Speciale Operative, Krim Teknikes, Doganës së Kosovës, ATK-së”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Gjatë operacionit janë sekuestruar: një sasi e dokumentacioneve që janë hasur në ato lokacione, rreth 144.000 €, 16 Hard-Disk (memorie kompjuteri), 3 USB, 2 telefona, 2 revole, 5 memory card, një monedhe me vlerë 50 € e dyshuar si e falsifikuar. Janë intervistuar 4 të dyshuar meshkuj/k/shqiptarë, në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë te rregullt”, njofton Policia.