Policia kufitare në bashkëpunim me zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë kanë konfiskuar më shumë se 2 milionë euro kartëmonedha të falsifikuara.
Përmes një konference të jashtëzakonshme zyrtarët policorë dhe ata doganorë kanë bërë të ditur se pas mesnatës së mbrëmshme në hyrje për në Republikën e Kosovës, kanë ndaluar automjetin TAXI me targa të Shqipërisë për një kontroll më të detajuar, raporton Ekonomia Online.
Sipas tyre, vetura drejtohej nga B.D, i lindur më 1972, mashkull, shtetas i Shqipërisë dhe për pasagjer kishte: F.B, i lindur më 1980, mashkull, shtetas i Kamerunit, me leje qëndrimi në Francë.
Gjatë kontrollit të përbashkët nga zyrtarë të të dy institucioneve, në bagazh të automjetit në një çantë, në brendësi të saj janë gjetur paketime të ndryshme kartëmonedhash të dyshuara si të falsifikuara me vlerën e: 500, 200, 100 dhe 50 euro. Po ashtu, së bashku me to është gjetur edhe letër e paketuar dhe e prerë në dimensione që i përgjigjen masës së kartëmonedhave: 500, 200, 100, 50 euro.
Pas numërimit të kartëmonedhave të falsifikuara, rezulton të jenë 2 131 000 euro, si dhe 2 733 copë letër e bardhë që do të përdorej për përpunim e kartëmonedhave 500 eurosh.
Policia si provë materiale ka konfiskuar kartëmonedhat e dyshuara si të falsifikuara, si dhe 8 shishe me preparate kimike që përdoren për falsifikim, 3 folija alumini, një pako doreza plastike, dy shiringa, dy pasaporta të Kamerunit, një patentë shoferi dhe një leje qëndrimi për në Francë.
“Në pikën kufitare në Vërmicë në mesnatë është ndalur një automjet TAXI nga Shqipëria në Kosovë në të cilën ishin një shtetas i Shqipërisë së bashku me një pasagjer nga Kameruni, shtetas i Francës, ku edhe janë gjetur kartëmonedhat në vlerë 2 milionë e 131 mijë euro para të falsifikuara, por 2 733 letër e bardhë që janë përdorur për falsifikimin e parave, 8 shishe me materiale të cilat është mundësuar falsifikimi së bashku me folion”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Ndërsa, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se ky është një ndër rastet më të rënda nga Kosova e pasluftë.
“Kjo është sasia më e madhe që është zbuluar nga Policia dhe Dogana. Policia dhe Dogana tashmë funksionojnë si institucion i vetëm”, ka thënë ai.