Policia në Skenderaj pasi që ka dëgjuar disa të shtëna armësh dhe pas kontaktit me qytetarë ka arritur te informacioni për lokacionin e të shtënave me armë zjarri, gjatë mbrëmjes së datës 20 gusht 2016.
Sipas informacioneve të mbledhura, njësitë sektoriale dhe reaguese në kuadër të stacionit policor ‘Skenderaj’ kane arritur që ta lokalizojnë dhe identifikojnë vendin e të shtënave, gjegjësisht fshatin “Kosterrc” në Skenderaj, ku dhe kishin arritur të identifikonin shtëpinë nga ku dyshohej se ishte shtënë me armë, dhe njëkohësisht ishte identifikuar se kishte aheng familjar.
Në këtë lokacion është konfiskuar një pushkë gjysmë automatike e llojit snajper, një karikator, një sasi e fishekëve dhe një sasi e gëzhojave në cilësi të provave materiale.
Është intervistuar i dyshuari D.D. 35 vjeçar, i cili dyshohet se ka përdorur armën, ku pas procedurave intervistuese i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet për vepër penale “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i paautorizuar i armës’’, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.