Javë më parë, Bloomberg raportoi mbi vendimin e Komisionit Europian për rritjen tarifore duke marrë si shkak subvencionet shtetërore kineze ndaj prodhuesve vendorë të automjeteve elektrike.
Veprimi në fjalë do të komplikojë edhe më tepër çështjen e tregtisë ndër-kontinentale Eu-Kinë, dhe në veçanti do të ndikojë tek auto-prodhuesit gjermanë, të cilët tregun kinez apo konsumatorin besnik të automjeteve gjermane në Kinë e konsiderojnë thelbësor për fitimet nga shitjet e brendit dhe vazhdimin e dominimit në tregun aziatik.
Veturat elektrike, ashtu si çdo produkt tjetër komercial mision primar e ka konsumatorin dhe shitjen e sa më shumë produkteve në treg, pasi çdo shitje përbën një sukses ndaj konkurrencës së shumtë në Kinë.
Rritja e paralajmëruar e akcizës për veturat e prodhuara në Kinë si masë mbrojtëse do të penalizojë së pari konsumatorin europian.
Për më tepër, kjo do të sjellë edhe rritjen e çmimeve të veturave vendore të prodhuara në EU, pra do ketë kosto shtesë për Gjermaninë e cila vetëmse ka fabrikat e saja në Kinë, dhe një gjë e tillë konsiderohet e papërballueshme për industrinë më fitimprurëse në Europë.
Teksa defiçiti tregtar me Kinën sa vjen e shtohet, vitin e kaluar Gjermania shënoi një rekord të zi në këtë aspekt, mbi 90 miliardë dollarë defiçit tregtar, sipas Ministrisë së tregtisë, dhe e tëra kjo si pasojë e krizës aktuale dhe migrimit të fuqisë prodhuese drejt tregut më të lirë siç konsiderohet Kina.
Duke marrë parasysh të gjitha këto del se propozimi i fundit i BE-së do të rezultojë si një ‘thikë me dy presa’ për vetë industrinë gjermane, meqenëse si Gjermania ashtu dhe Europa janë duke u përballur me një nga krizat më të mëdha në dyzet vitet e fundit dhe lufta tarifore me një vend ku prodhuesit europianë kanë bizneset e tyre nuk rezulton të jetë skenari më i mirë, së paku jo nga aspekti ekonomik.
Por sa duhen marrë seriozisht vendimet e Komisionit, kur ky i fundit për dekada me rradhë nuk arrin të bindë vendet si Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje bazike si ajo e fqinjësisë së mirë?
Në fakt, Bashkimi Europian për vite me rradhë ka dështuar në arritjen e rezultateve në dialogun e sponsorizuar e që mbështetet me miliarda euro nga taksapaguesit e saj europianë.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet sfidë pakrahasimisht më e lehtë se sa çështja tarifore me Kinën, dhe nëse BE-ja nuk arrin të zgjidhë çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë si do t’ja bëjë me një super fuqi sic është Kina?
Se sa e rëndësishme është e tëra kjo mjafton të cekim këto të dhëna:
Vitin e kaluar, tregu kinez shënonte rreth 42% të shitjeve globale të automjeteve BMV dhe Mercedes.
Krahas Mercedes dhe BMV, Kina është tregu më i madh për Volkswagen-in duke kapur rreth një të tretën e shitjeve gjatë vitit.
Ndersa Tesla, fabrikën më të madhe për prodhimin e veturave elektrike e ka në Shangai.
Pra, Kina është destinacioni më i madh për automjetet gjermane dhe jo vetëm, kjo sipas të dhënave nga asociasioni i automjeteve gjermane, dhe nëse rritja tarifore mbi importet kineze hyn në fuqi atëherë disa çështje thelbësore duhet adresuar seriozisht, çështjet se si do të mbrohen auto-prodhuesit vendor, dhe cfarë do të ndodhë me cmimet dhe vet konsumatorin europian, këto duhen sqaruar nga komisioni në fjalë.
Në fund fare, kemi edhe investitorët të cilët vetëmse kanë investuar në bursat europiane ndërsa vendimet si këto ndikojnë negativisht në treg, dhe jo rastësisht kemi një rënie të aksioneve prej rreth 20% që kur u kumtua lajmi.
Si përfundim, tregu kinez konsiderohet tejet i rëndësishëm për prodhuesit e huaj, sidomos atë gjermanë, dhe thirrja për rritjen tarifore padyshim që do të ndikojë në marrëdheniet bilaterale e veshtirë se do sjelllë ndonjë ndryshim substancial, përvec rritje cmimesh për konsumatorin europian.
Shtojmë këtu rënien e prodhimit dhe krizën energjetike, si dhe luftën në Ukrainë që nuk po i shihet fundi, e gjitha kjo mund të konsiderohet si një prapakthim dhe goditje për gjeneratorin e ekonomisë europiane, siç konsiderohet Gjermania. Dhe pa një Gjermani të qëndrueshme vështirë se mund të imagjinojmë një Europë të denjë që do të vazhdojë të konkurrojë në tregun gjithnjë e më sfidues global.