Kongo, ebola konfirmohet në një qytet me mbi dy milionë banorë

Prishtinë | 15 Kor 2019 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Republika Demokratike e Kongos konfirmoi rastin e parë me Ebola në qytetin Goma, që është një qendër kryesore transporti, me më shumë se dy milionë banorë.

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi se një pastor në Goma ka rezultuar pozitiv ndaj virusit, pasi ka arritur atje me autobus nga qyteti Butembo.

Punonjësit shëndetësorë, për kohë të gjatë, kanë shprehur shqetësimin se virusi mund të arrijë në këtë qytet.

Megjithatë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreziku për përhapjen e sëmundjes është i ulët.

“Për shkak të shpejtësisë me të cilën pacienti është identifikuar dhe izoluar, rreziku i përhapjes në pjesën tjetër të qytetit Goma mbetet i ulët”, thuhet në deklaratë.

Mbi 1,600 njerëz kanë vdekur prejse Ebola ka shpërthyer në lindje të Kongos, një vit më parë.

Goma është një qendër kryesore tregtare dhe kulturore në kufirin e Kongos me Ruandën, që ka lidhje të transportit me një rajon më të gjerë.

Ebola është një virus që fillimisht shkakton ethe, dobësi, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të fytit.

Pacientët e prekur mund të vdesin nga dehidrimi dhe dështimi i disa organeve.

Shpërthimi më i madh që ka ndodhur në Afrikën Perëndimore më 2013-2016, ka prekur 28,616 njerëz, kryesisht në Guinea, Liberi dhe Siera Leone.

Atëbotë janë raportuar 11,310 vdekje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme