Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.
Ambasadorja Hernmarck e uroi kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së të parit të Kuvendit, si dhe e përgëzoi për konstituimin e institucioneve shtetërore, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Hernmarck çmoi lart bashkëpunimin e deritashëm në mes dy vendeve dhe premtoi vazhdiminin dhe avancimin e mëtëjmë të këtij bashkëpunimi, duke përmendur projektet dhe programet që shteti i saj mbështetë në Kosovë, e të cilat fokus kanë zhvillimin ekonomik, fuqizimin e demokracisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe çështjet ambientale.
Ambasadorja Hernmarck ka veçuar sidomos projektet për mbështetjen e fondit kosovar për garanci kreditore, atë për përforcimin e sistemit statistikor të Kosovës, programin për përkrahje të komunave, zhvillim gjithëpërfshirës, mbështetje të projekteve kundër korrupsionit (SAEK III, UNDP), si dhe shumë projekte të tjera.
Kryekuvendari Konjufca, me këtë rast, ka falënderuar ambasadoren Hernmarck për urimin, bashkëpunimin e deritanishëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të Suedisë për projektet zhvillimore, si dhe synimet e shtetit të Kosovës drejt anëtarësimit në mekanizmat ndërkombëtar.
Në takim janë shkëmbyer mendime edhe lidhur me sfidat e përballimit të pandemisë, masat për parandalimin e përhapjes dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për sigurimin e vaksinave kundër Covid-19.