Konjufca: Kosova është e gatshme që të marr përgjegjësi dhe të intensifikoj angazhimin e saj drejt rrugës evropiane

Prishtinë | 29 Jan 2020 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Bruksel, kryetari i  Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, takoi udhëheqësin e Delegacionit për Marrëdhënie me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën në Parlamentin Evropian z. Romeo Franz, si dhe Udhëheqësin e Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Politikë të Jashtme (AFET) në Parlamentin Evropian z. Tonino Picula.

Gjatë takimit me z. Franz u diskutua në detaje lidhur  me mundësitë e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit Evropian.

Me  këtë rast u vu në pah rëndësia e këtij bashkëpunimi dhe përkrahja e vazhdueshme që Parlamenti Evropian i ka dhënë Kosovës në procesin e integrimit  të saj në mekanizmat evropian.

Bashkëbiseduesit u zotuan që të ndërmarrin projekte konkrete në drejtim të thellimit të këtij bashkëpunimi.

Në këtë takim, rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe çështjeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit, duke marrë parasysh rritjen e rëndësisë së “agjendës së gjelbër” brenda Bashkimit Evropian.

Në takim u fol edhe për  pozitën e minoriteteve në Kosovë, në veçanti atë të minoritetit Rom, si dhe angazhimin e Kosovës në përfshirjen sa më të madhe të minoriteteve në jetën shoqërore dhe politike në vend.

Gjatë takimit të kryetarit Konjufca me z. Picula, ndërkaq,  u diskutua për gjendjen politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Lidhur me këtë, Picula vlerësoi lartë punimet e Samitit të  mbajtur një natë më parë, si një hap tejet të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet kuvendeve rajonale me Parlamentin Evropian.  Ai vlerësoi se Samiti ishte mundësi e mirë dhe porosi e qartë për perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor.

Udhëheqësi i Grupit Punues për Ballkanin Perëndimor në Komisionin për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian z. Tonino Picula, inkurajoi përfundimin e procesit të negociatave për formimin e qeverisë në Kosovë dhe theksoi edhe njëherë faktin se tek Parlamenti Evropian Kosova ka një mik të përhershëm.

Kryetari  Kuvendit të Kosovës, Glauk  Konjufca, nga ana e tij, falënderoi bashkëpunimin e shkëlqyer të Kosovës me Parlamentin Evropian dhe në veçanti ndihëm dhe angazhimin e vazhduar të z. Picula në raport me Kosovën dhe rajonin. Ai u zotua se Kosova është e gatshme që të marr përgjegjësi dhe të intensifikoj angazhimin e saj drejt rrugës evropiane.



Fjalë Kryesore:

Të ngjashme