Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca i ka dërguar letër përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell, duke ia paraqitur shqetësimet rreth arrestimit të Nezir Mehmetajt nga autoritetet serbe.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Konjufca përmes një statusi në “Facebook”.
Në këtë letër, kryediplomati i Kosovës i ka kërkuar kryediplomatit evropian që ai ta përdorë autoritetin e tij për të ndërhyrë, në mënyrë që Mehmetaj të lirohet nga burgu i Serbisë.
Statusi i plotë i Konjufcës:
Sot përmes një letre ju drejtova z. Borell si në vijim:
I nderuari zoti Borell,
Po Ju shkruaj për të ngritur shqetësimet e mia për arrestimin e qytetarit kosovar, zotit Nezir Mehmetaj, nga autoritetet serbe.
Më 3 janar 2020, zoti Nezir Mehmetaj u arrestua nga autoritetet serbe në pikën kufitare midis Serbisë e Kosovës, në Merdare. Gjatë kohës së arrestimit, zoti Mehmetaj po kthehej nga qyteti i Nishit të Serbisë, ku ai e kishte shoqëruar nënën e tij për një ekzaminim mjekësor.
Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij.
Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast. Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm.
Përveç kësaj, zoti Mehmetaj është mbajtur për tre muaj pa asnjë rast të konfirmuar kundër tij, dhe përderisa provat në favor të tij nuk po konsiderohen, rasti qartazi paraqet shkelje të të drejtave ndërkombëtare te garantuara të njeriut.
Prandaj do t’Ju isha shumë mirënjohës nëse Ju do të përdorni autoritetin Tuaj që të ndërhyni, me qëllimin që zoti Mehmetaj të lirohet nga burgu i Serbisë.