Konjufca: Lufta e familjes Jashari, e pashembullt edhe në historinë botërore

Prishtinë | 06 Mar 2023 | 12:51 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.

Ai tha para deputetëve në Kuvend se në tri breza, familja Jashari mbrojti lirinë e Kosovës “deri në vetëflijimin e tyre të plotë”.

“Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembull jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, 3 breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baci Shaban, e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, e bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UCK-ja u bë frymë dhe e përfshiu tërë popullin tonë”, deklaroi Konjufca.

Kreu i Kuvendit theksoi se 12 Qershori dhe 17 Shkurti janë kapituj të “librit monumental” të lirisë së Kosovës.

Fjala e plotë e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Të nderuar anëtarë të familjes së madhe Jashari,

I dashuri Baci Rifat,

Të nderuar deputetë,

E nderuara Presidente Osmani-Sadriu,

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar Komandant Jashari

Të nderuara familje të dëshmorëve, martirëve, invalidëve e veteranëve të UÇK-së,

Zv. Kryeministra e Ministra,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave të luftës,

Të dashur ish Presidentë,

Të dashur përfaqësues të institucioneve tona shtetërore,

Kryetarë komunash,

Të dashur ambasadorë,

Mysafirë të pranishëm, zonja e zotërinj,

Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharajve është ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia e botës.

Familja e gjerë Jashari, tre breza në kullën e tyre shekullore, në tokën e lashtë të stërgjyshërve, nga Baci Shaban e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën atë deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, kurse bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë frymë dhe e përfshiu të gjithë popullin tonë.

5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998 është kthesa kur sakrifica bëhet Epope.

Ne për liri kemi luftuar gjatë dhe gjatë historisë kemi dhënë shumë.

Por lufta e Prekazit dhe rënia e Jasharajve është kondensimi i të gjitha përpjekjeve tona të pareshtura. Ajo e përmban të gjithë mundin, vetëdijen kombëtare dhe gatishmërinë e të gjitha gjeneratave të mëparshme për liri. Thuajse të gjitha ëndrrat e idealet tona qysh nga koha e Skënderbeut, të gjitha burgosjet, sakrificat, vuajtjet e vështirësitë nëpër të cilat kaluam, e pritën Adem e Hamëz Jasharin me prindërit, gratë, fëmijët dhe familjarët e tyre që ta kurorëzonin lirinë tonë. Liria dhe pavarësia jonë u shpallën e u mbrojtën me gjak në ata metra katrorë të kullës së Jasharajve. 12 qershori dhe 17 shkurti janë kapituj të po atij libri monumental. E të gjithë e dimë që, kur flasim për Jasharajt, lavdia e të gjallëve është jo më e pakët se e të rënëve. Besarta mbijetoi për ta ndarë me ne qëndresën legjendare dhe flijimin e familjes së saj. Zoti u kujdes që dëshmia të jetojë.

Shpesh më del para syve momenti kur Baci Rifat kthehet në Prekaz mes varreve ende të freskëta. Me plis në kokë dhe mustaqet e tij të bardha, në atë ecje titanike ai barte mbi supet e tij si kreshtat e maleve tona krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, prej tyre gruan dhe 4 fëmijët e tij, prindërit e tij, vëllezërit bashkë me gratë e tyre dhe 9 nipa e mbesa. Por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së dhe bashkëfshatarët e tij.

Të dashur vëllezër e motra, vetëm për një minutë mundohuni, ju lutem, ta zini vendin e Bacit Rifat, dhe më thoni – a nuk është pikërisht ky definicioni i heroit tonë të gjallë.

Lavdi luftës dhe sakrificës së familjes Jashari!

Lavdi Epopesë së UÇK-së!

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!

Të ngjashme