Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se mosmbajtja e seancës është e qëllimshme.
Këto komente i bëri në një deklaratë për media në hollin e kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Kjo seancë e Qeverisë nuk ka kurrfarë kuptimi, vetëm që ta vjedhë kohën e opozitës. Kemi të bëjmë me një veprim të qëllimshëm që seanca të shtyhet për dy orë dhe të shtyhet kështu deri më 7 shtator”, tha ai.
Kjo, sipas tij, po bëhet që të ndalohet formimi i rezolutës që do ta kundërshtonte hapjen e temës për shkëmbim të territoreve me Kosovën dhe Serbinë, raporton EO.
Sipas Konjufcës, tërheqja e AAK-së për mosvotimin e rezolutës po bëhet nga frika, derisa, sipas tij, Nisma nuk po u frikohet zgjedhjeve.
“Partia e AAK-së po frikësohet nga humbja e pushtetit, mirëpo, sipas tij, Nisma Social Demokrate nuk e ka problem që ta kundërshtojë Thaçin”.
Ai tha se nëse seanca shtyhet përseri, opozita do të mblidhet në mënyrë që ta marrë verdiktin e saj për hapat e mëtutjeshëm.