Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar që disa nga deputetët e koalicionit qeverisës të kërkojnë falje për deklaratat e tyre lidhur me krahasimin e Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.
“Deputetja Ganimete Musliu, Muharrem Nitaj dhe Albulena Balaj të kërkojnë falje pas votimit nga Lëvizja Vetëvendosje për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari'”.
Mirëpo për deklaratat e saj nuk u pendua deputetja Ganimete Musliu, raporton Ekonomia Online.
“Asnjëherë nuk i bi pishman për atë çfarë ka ndodhur. Ka qenë turp dhe është turp që javën e kaluar nuk keni ardhë me votu Projektligjin për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari'”.
Për këtë deklaratë reagoi përsëri deputeti Konjufca.
“Kur të folsh nuk ki nevojë me u sarakuq, fol me argumente. Ata të cilët janë kundër Adem Jasharit ata e lëshuan seancën kur votum për FSK-në. Kjo është e pacipë, sepse e keni shty ligjin kur e keni ditë për bojkotin e opozitës”.
Deputeti Muharrem Nitaj tha se nuk e ka krahasuar as LVV-në, as LDK-në me Listën Serbe, raporton EO.
“Unë i kërkoj Galukut që Glauku të kërkojë falje publikisht. Nuk e kam krahasu Lëvizjen Vetëvendosje me Listën Serbe, nuk e kam krahasuar LDK-në me askënd. Glauku duhet të çohet e të tregojë se ku e ka gjetë një fjali që unë e kam krahasu. Unë nuk jam redaktor i portaleve dhe nuk marr përgjegjësi për titujt”.
As deputetja Albulena Balaj Halimaj nuk pranoi të kërkojë falje. Ajo citoi edhe një herë atë që ka thënë një javë më parë.
“Unë nuk po them se në të njëjtën linjë është LDK-ja dhe VV-ja por duket se janë”.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës pauzojnë deri në orën 16:30.