Konjufca në Gllogjan, përkujton dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj

Prishtinë | 24 Mar 2024 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Gllogjan për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

“Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë. Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë.”

Konjufca tha se ata ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë.

POSTIMI I PLOTË:

Në këtë 26-vjetor të Ditës së Dëshmorëve të Dukagjinit, bëra homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t’i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të rënë në përballjen frontale kundër forcave okupatore të Serbisë.

Jehona e heroizmit do të ushtonte kudo, si burim frymëzimi e mobilizimi, si shembull i vetëmohimit, sakrificës sublime nëpër të cilën kalon rruga drejt lirisë.

Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë. Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë.

Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.

Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!

Të ngjashme