Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca përmes një postimi në Facebook ka thënë se Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet kundër Kosovës dhe kombit shqiptar nëse dëshiron që të jetë pjesë e institucioneve.
“Paskan reaguar i madh e i vogël në qeverinë e Serbisë, për mosregjistrimin e Listës Serbe nga KQZ-ja. Regjistrimin e LS e pamundësoi vota abstenuese e dy përfaqësuesve tanë në KQZ”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij Lista Serbe duhet të mësohet me faktin se Kosova është e pavarur.
“Për të qenë pjesë e politikës institucionale në Kosovë Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet e saj kundër Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avansojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë. Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Kodra e Diellit’ në pjesën e veriut te Mitrovicës – janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’”, ka shkruar ai.
Kunjufca tutje ka shkruar se populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë.
“Por pushtetarët serbë në Beograd dhe krijesat e tyre në Kosovë nuk e ndajnë të njëjtin vizion. Ata madje shajnë dhe kërcënojnë politikanët serbë të Kosovës që e njohin Kosovën. Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit”, ka shkruar Konjufca.