Ministri i deritanishëm i Punëve të Jashtme (MPJ), Behgjet Pacolli, ia ka dorëzuar detyrën ministrit të ri, Glauk Konjufca, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, Pacolli ia ka dorëzuar pasardhësit të tij në këtë detyrë dhe disa rekomandime dhe raporte për mandatin e tij si kryediplomat.
“I dëshiroj së pari shëndet suksese dhe punë të mbarë Glauk Konjufcës. Këto nevojiten për një diplomat, se vetëm një njeri që është i qetë mund të bëjë punë kualitative”.
“Unë besoj se Glauku e do atë që e bën, është profesionist dhe me shumë përgjegjësi. Unë e kam bërë atë që kam ditur dhe që kam mundur; dhe të them të drejtën e kam dashur atë që e kam bërë. Unë kam marrë vetëm një letër, ndërsa unë po t’i dorëzoj rekomandimet se çfarë duhet bërë në të ardhmen”.
“Në vitin 2017-2018 kemi bërë një raport me shënime me foto dhe data dhe kemi bërë disa dokumente për GjND-në (Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë). Këto ua kemi dorëzuar miqve dhe njerëzve që ishin për vizita. Gjithashtu e kemi edhe një raport se çfarë kemi punuar për këto vite”, ka thënë Pacolli, në një paraqitje të përbashkët para medieve.
E ky i fundit tha se është në dijeni për sfidat që e presin si kryediplomat, raporton EO.
“Ndryshimi demokratik i pushteteve ndodh në shumë vende të botës. Ashtu funksionojnë institucionet dhe demokraci”.
“Me Pacollin kemi pasur një bashkëpunim të frytshëm për sa kohë isha shef i GP-së së Vetëvendosjes dhe kemi pasur një raport mjaftë të mirë të bashkëpunimit”, deklaroi Konjufca.
“Siç e tha edhe Pacolli këto vite nuk ishte e lehtë të jesh ministër i Jashtëm”. Sipas Konjufcës, Serbia është një ofensivë viteve të fundit dhe ai i ka të qarta sfidat që e presin.