Në një fjalim të mbajtur para të pranishmëve që morën pjesë në homazhet për Astrit Deharin, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Qeveria e kaluar e Kosovës duhet të marrë përgjegjësinë për vdekjen e Astritit.
Siç po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj aktivistëve të VV-së po shihet se është i montuar dhe me prapavijë politike, prandaj ky pushtet dhe qeveria e kaluar sidomos duhet ta marrë përgjegjësinë e drejtpërdrejt për vdekjen e Astrut Deharit në burgun e Prizrenit, theksoi Konjufca.
“Tash është koha të adresojmë njerëzit me emra konkretë se kush e ka përgjegjësinë për këtë ngjarje, duke filluar nga Policia, përmes Luan Kekës, Fatos Makollit e deri te kreu i Policisë, Shpend Maxhuni. Në drejtësi Abdurrahim Islami e Sylë Hoxha, e në fushën e politikës dhe qeverisë, Dhurata Hoxha ministre e Drejtësisë në atë kohë, e pse jo edhe kryeministri i kaluar Isa Mustafa duhet ta mbajnë përgjegjësinë për humbjen e jetës së aktivistit tonë, Astrit Dehari”, tha Konjufca.
Veprimet e tyre na kanë bërë të bindur se pushteti ka gisht në vdekjen e Astritit, shtoi deputeti i Vetëvendosjes.
Ndërsa, në një fjalim, babai i Astritit të ndjerë, Avni Dehari, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në homazhe, duke premtuar se ai dhe familja e tij do të jenë gjithnjëë mbështetës së aktiviteteve që çojnë përpara idealin kombëtar.
“Këtë do ta bëjmë që t’i nderojmë të gjithë ata që kanë rënë për këtë ideal”, tha babai i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndryshe, qindra bashkëpartiakë, familjarë, shokë e qytetarë të ndryshëm, bënë homazhe sot te varri i Astrit Deharit në njëvjetorin e vdekjes së tij.
Kortezhit i ka prirë babai, nëna, motra e bashkëshortja e ve e Astritit, të cilët kanë vënë buketa lulesh te varri i Astrit dhe të varri i Arbënorit, djalit tjetër i Avni e Xhemile Deharit, i cili kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara më 11.06.2014.
Aktivisti i VV-së, Astrit Dehari, kishte vdekur në rrethana ende të pasqaruara përfundimisht në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016.
Dehari po mbahej aty si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në gusht të vitit 2016.