Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj aksidentit të djeshëm me fatalitet në rrugën Gjilan-Prishtinë, ku vetura ra në Liqenin e Badoci dhe humbën jetën tre persona, raporton Ekonomia Online.
Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka shprehur ngushëllime familjarëve për tre të rinjtë që vdiqën mbrëmë në aksident.
“U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”, ka shkruar Konjufca.
Kryeparlamentari ka shtuar se bashkë ndjen me dhimbjen e familjarëve dhe miqve të viktimave.
“Shprehi ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, theksoi Konjufca.