Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e priti sot në takim nuncin apostolik të Selisë së Shenjtë në Lubjanë, njëherësh delegat apostolik për Kosovën, Jean Marie Speich, raporton Ekonomia Online.
Kryetari Konjufca vlerësoi lart mbështetjen e Vatikanit, duke theksuar se Selia e Shenjtë dhe personalisht Papa Gjon Pali II kanë qenë gjithmonë në përkrahje të aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Duke u fokusuar në rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike, kryetari Konjufca vuri në pah se njohja e pavarësisë nga shteti i Vatikanit do ta përshpejtonte procesin e integrimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në takim u konfirmua përkushtimi për avancimin e raporteve të ndërsjella dhe angazhimi i përbashkët për të përparuar në marrëdhëniet diplomatike me Selinë e Shenjtë.