Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca ka folur në Kuvend për arrestimin e komandantit të Policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçin.
Konjufca tha se kryeministri Isa Mustafa disa herë e përmendi që kanë raporte të mira me Serbinë, ndërsa mbrëmë është arrestuar komandanti i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, e sipas tij, askush nuk e tha asnjë fjalë për këtë çështje, as ministri as kryeministri.
Sipas tij, marrëdhëniet për fqinjësi të mirë me Serbinë po përmirësohen vazhdimisht, që është qëllimi i Qeverisë së Kosovës për marrëdhëniet e mira me Serbinë.
“Kurse mbrëmë kemi arrestimin e drejtorit të Policisë për rajonin e veriut nga Serbia dhe për këtë asnjë fjalë se kemi as nga kryeministri, e as nga Ministri i Punëve të Brendshme”.
Prita nga ta që para deklarimit të pikave jashtë rendit të ditës të deklarohen këta për këtë normalizim kaq të shkëlqyeshëm të marrëdhënieve që e paskemi me Serbinë, e cila na e kthen neve këtë dashamirësi të Qeverisë me arrestimin e autoriteteve të larta të policisë së Kosovës, me aktakuzën për terrorizëm vetëm pse kanë qenë pjesëtar të UÇK-së.
Kjo është fqinjësia e mirë me Serbinë, ky është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Konjufca.