Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij gjerman, Heiko Mass.
Ai përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se ka njoftuar Mass për heqjen e taksës 100 për qind për produktet serbe dhe aplikimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Konjufca ka bërë të ditur se gjithashtu kanë diskutuar edhe për Procesin e Berlinit dhe raportet me vendet e rajonit.
“Gjatë kësaj bisede kemi diskutuar për masat e ndërmarra deri tani për ballafaqimin me pandeminë. Kësaj radhe me z. Mass diskutuam për Procesin e Berlinit dhe për raportet me vendet e rajonit. Ndër të tjera e kam informuar ministrin gjerman për heqjen e taksës 100 për qind dhe për aplikimin e reciprocitetit ndaj Serbisë. Natyrisht që gjatë kësaj bisede telefonike kemi folur edhe për marrëdhëniet në mes të dy shteteve tona dhe sigurisht që si Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës kam kërkuar që të na mbështesin në procesin për liberalizimin e vizave”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Ai tutje ka thënë se e ka njoftuar ministrin e Jashtëm gjerman edhe se Kosova i gëzohet faktit që Gjermania do ta marrë udhëheqjen e BE-së në korrik.