Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca, duke komentuar dënimin e katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ai është kryekëput politik.
“Nuk mendoj se ka ndonjë qytetar që këtë vendim e sheh si të drejtë, është vendim kryekëput politik”, ka thënë Konjufca në Info Magazinë të Klan Kosovës.
“Kjo është përpjekje për ta eliminuar politikisht Vetëvendosjen, që ne të jemi në domenin e terrorizimit”.
“Vetëvendosja është e vetmja që i kundërshton politikat e tyre të padrejta që qeverisin në mënyrë kriminale dhe korruptive me një rrjet të gjerë si në polici e gjyqësi”.
Konjufca ka thënë se nuk është gjetur asnjë provë kundër katër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje që janë dënuar sot.
“18 vjet pas çlirimit janë dënuar politikisht njerëzit pa asnjë provë – Prokuroria sot nuk ka kallëzuar asnjë provë pse këta janë dënuar”.
“E vetmja gjë, ata janë dënuar për shkak të dyshimit dhe për atë, se Prokurorit i ka ardhur urdhri politik se duhet të dënohet Vetëvendosja për terrorizëm”.
Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli sot fajtor katër aktivistët e Vetëvendosjes për sulmin ndaj kuvendit. Ata u dënuan në total me 21 vjet e 6 muaj burg.
Frashër Krasniqi me 8 vjet, Atdhe Arifi është dënuar me 6 vjet burg, Egzon Haliti me 5 vjet e gjysmë ndërsa Adea Batusha me 2 vjet burg.