Ministria e Financave ka marrë vendimin për të përsëritur konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të Doganave të Kosovës.
Kjo ministri ka bërë të ditur se vendimi është marrë pasi, sipas kësaj ministrie, palët nënshkruese të memorandumit të mirëkuptimit Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës në njërën anë, dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, e përfaqësuar nga ambasada britanike në Kosovë, për përzgjedhjen e së paku 20 pozitave të larta shtetërore, kanë identifikuar se edhe pozita e drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës është njëra nga ato.
Andaj, për shkak të këtij vendimi, konkursi do të përsëritet me qëllim të zbatimit të këtij memorandumi. Në konkursin e parë, në garë ishin 15 aplikantë.
Kohavision ka raportuar ditë më parë se për shkak të indikacioneve të ndërhyrjeve politike, Ambasada britanike ka kërkuar me ngulm që këtë konkurs ta marrë nën mbikëqyrje.