Kryeshefi Ekzekutiv i Termokos Arsim Tetahu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se borxhet e konsumatorëve ndaj kompanisë janë diku rreth 16 milionë euro.
Tutje, Fetahu tha se kanë themeluar këtë vit zyrën ligjore e cila është duke u marr me këtë çështje.
Madje ai thotë se prej muajit shtator kanë filluar edhe dërgimin e lëndëve te përmbaruesi.
“Borxhet e konsumatorëve për fat të keq janë diku rreth 16 milionë dhe kanë të bëjnë me periudhën para realizimit të projektit në kohë të gjenerimit në kohën kur është operuar me mazot mirëpo edhe në periudhat e fundit ka borxhe, por janë më të vogla”.
“Ne kemi themeluar këtë vit zyrën ligjore e cila është duke u marr me këtë çështje, mirëpo për shkak të pandemisë këta hapa kanë shkuar më ngadalë. Por prej fillimit të muajit shtator kemi filluar dërgimin e lëndëve te përmbaruesi dhe jemi duke vazhduar”.
Fetahu tha se do të startojnë me ngrohje prej datës 15 tetor. Madje, ai shtoi se për ndryshimi e tarifave është përgjegjëse ZRE-ja.
“Ne duhet të jemi të gatshëm me datën 15 tetor kur ligjërisht jemi të obliguar të startojmë me ngrohje gjithmonë duke u bazuar në temperaturat e jashtme atmosferike dhe nëse janë konditat e duhura atëherë ne do të startojmë me ngrohje me datën 15 tetor”.
“Ndryshimi i tarifave është përgjegjësi e ZRrE-së. Ne kemi aplikacionin të dërguar nga ta dhe ata janë në fazën e vendimmarrjes dhe çkado që të jetë vendimi i tyre ne jemi të obliguar ta zbatojmë”, shtoi Fetahu.
Fetahu foli edhe për pandeminë, duke thënë se deri më tani kanë qenë vetëm 6 persona të infektuar me Coronavirus në kompaninë Termokos, raporton EO.
“Ne kemi marrë të gjitha masat e duhura dhe deri më tani e kemi menaxhuar shumë me sukses për arsye se asnjë punë e cila është dashur të kryhet në këtë periudhë nuk kemi pasur ngecje sa i përket realizimit të planeve tona. E vetmja ngecje që mund të thuhet ka të bëjë me pjesën e inkasimit dhe kemi një rënie të vogël në raport me vitin e kaluar për shkak të pandemisë”, tha ai.