Konsumi i birrave dhe futja në det mund të jetë fatale

Prishtinë | 10 Gus 2017 | 08:45 | Nga

Incidentet shëndetësore në ujë me pasojë vdekje klinike janë kthyer në një fenomen shqetësues për pushuesit këtë sezon turistik, ku temperaturat kanë mbërritur në rreth 40 gradë celsius.

Konsumi i disa gotave birrë për t’u freskuar apo çfarëdolloj alkooli tjetër, qoftë dhe për të shoqëruar ushqimin, mund të kthehen në shkak kryesor për vdekje klinike në ujë.

Mjekët shpjegojnë se ato ndodhin kryesisht tek ata persona që nuk e dinë se vuajnë nga problemet kardiake dhe konsumojnë disa gota alkool në plazh apo qëndrojnë gjatë duke marrë rreze dielli e më pas futen menjëherë në ujë për tu freskuar, përcjell TCh.

Daniela Teferiçi, mjeke kardiologe në QSUT, shprehet se ekspozimi ndaj të nxehtit dhe konsumi i alkoolit çojnë në një rezultante të përbashkët: në zgjerimin e enëve të gjakut.

“Nëse qëndrojmë shumë në diell dhe konsumojnë sasi të mëdha alkooli, futja në ujë çon në ngushtim të enëve të gjakut. Ky ngushtim mund të çojë në përfundim fatal”.

Mjekët këshillojnë që duhet pasur kujdes që dhe pas ushqimit nuk duhet futur menjëherë në ujë, pasi krijon stres fizik në organizëm.

Por, gjithsesi, ajo që rekomandohet për të gjithë pushuesit, në rastet kur një person bën vdekje klinike në ujë, duhet bërë masazh kardiak për t’i liruar rrugët e frymëmarrjes, deri në mbërritjen e ambulancës.

Kjo mund të jetë ndihma e parë efikase që mund të ketë rezultat për ta rikthyer në jetë personin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme