Kripa nuk është aq e dëmshme për shëndetin e njeriut siç mendohet, përveç nëse konsumohet çdo ditë në sasi të mëdha, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”.
Këto rezultate i vënë autorët e studimit në konflikt me një numër të institucioneve shëndetësore të cilët për vite me radhë po i bindin njerëzit të konsumojnë më pak kripë apo natrium, për ta ulur presionin e gjakut dhe për ta reduktuar rrezikun nga sulmet në tru.
Studiuesit zbuluan se efektet negative të natriumit (komponentit kryesor të kripës), si tensioni i lartë dhe rreziku nga sulmi në tru, u shfaqën vetëm në komunitete të cilat mesatarisht konsumojnë më shumë se 5 gramë kripë në ditë, ose dy lugë e gjysmë të mesme.
Nga ana tjetër, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) rekomandon që njerëzit në ditë të konsumojnë më pak se dy gramë kripë, derisa Shoqata Amerikane e Zemrës thekson se kufiri i sipërm është 2.3 gramë me rekomandimin që 1.5 gramë është sasia ideale.
Hulumtuesit besojnë se rezultatet tek të cilat kanë ardhur tregojnë se konsumi i moderuar i natriumit mund ta ketë një rol mbrojtës dhe se konsumi i kripës në sasi “shumë të larta” ose “shumë të ulëta” mund të jetë i dëmshëm.
Mjeku në Institutin për hulumtime të popullsisë dhe profesori në Universitetin McMaster në Kanada, Andrew Ment, tha se konsumi i ulët i kripës e ul presionin e gjakut, por edhe se sasia “shumë e ulët” e natriumit mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore si sëmundjet kardiovaskulare.
Docentja e mjekësisë kardiovaskulare në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Vanderbilt Deepak Gupta, e cila nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e studimit, tha se studimi në fokus i kishte komunitetet, jo individët, që është arsyeja se pse rezultatet e studimit nuk mund të përdoren si një pikë referimi për çdo person individualisht, përcjell Koha.net.
Në kuadër të studimit të publikuar në revistën mjekësore The Lancet u theksua se komunitetet që hanë më shumë kalium kanë norma më të ulëta të sulmeve në tru, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmëri përgjithësisht më të ulët.
Kaliumi gjendet në ushqime si patatet e ëmbla, perimet e gjelbra, domatet, fasulet, lëngu i portokallit, jogurti, bananet dhe pjepri.