Shahini: Konsumimi i prodhimeve vendore, gjest kombëtar

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 13:49 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka nisur “Javët e Biznesit Kosovar 2016” me moton “Unë konsumoj produkte vendore Po Ju”, projekt i cili realizohet tradicionalisht për të 14-tin vit me radhë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se ky projekt tradicional në rrugëtimin e vet nga viti 2003 ka ndikuar pozitivisht në rritjen e vlerave ekonomike dhe mirëqenies sociale në Kosovë, duke nxit zhvillimin e prodhimtarisë vendëse dhe zhvillimin e sektorit privat.

Sipas tij, iniciativat e tilla janë për zhvillim të vendit, ekonomisë dhe së ardhmes. Kryetari i AKB-së shtoi se është përgjegjësi e institucioneve që të krijojnë politika më konkurruese për prodhuesit.

“Politikat jokonkurruese për prodhuesit vendës kanë bërë që edhe më tutje tregu i Kosovës të varet nga importi dhe konsumatorët tonë të konsumojnë këto produkte, që në disa raste janë edhe të dyshimta. Prandaj institucionet e shtetit duhet të kontrollojnë edhe më shumë nivelin e cilësisë së produkteve si vendëse ashtu edhe të huajat në mënyrë që shëndeti të jetë i sigurt”, tha Shahini.

Ai shtoi se konsumimi i prodhimeve vendore është e mirë ekonomike dhe gjest kombëtar për zhvillimin e vendit.

Bashkim Osmani, prodhues i lëngjeve “Laberion Dona”, kërkoi nga institucionet përmirësimin e politikave fiskale në mënyrë që të jenë të barabartë me importuesit. Ai kërkoi nga konsumatorët që të konsumojnë prodhimet vendëse dhe nga e cila do të ketë rritje të buxhetit të shtetit

Nexhat Hasani, njëri prej anëtarëve themelues të AKB-së, tregoi se më 2003 “Javët e Biznesit Kosovar”, ishte realizuar vetëm në Kosovë, ndërsa për çdo vit është zgjeruar dhe tashmë po realizohet edhe në shtete të Bashkimit Evropian.

Suat Berisha, nënkryetar i AKB-së, tha pjesëmarrja e universiteteve në këtë projekt është afirmim edhe i institucioneve tona, por edhe i njoftimit të publikut për shërbimet që ofrojnë.
Edhe Berisha kërkoi nga të gjithë qytetarët që të konsumojnë produkte vendore.

Lumnije Ajdini, menaxhere e AKB-së, prezantoi programin “Javët e Biznesit Kosovar 2016”, i cili organizohet për katërmbëdhjetë vjet në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e BE-së.

“Projekti ka qëllim të promovojë ekonominë, të rrisë konsumimin e prodhimeve kosovare, të stimulojë bizneset vendore, të përmirësojë cilësinë e prodhimeve sipas standardeve më të larta dhe të inkurajojë Qeverinë e Kosovës që të vazhdojë të krijojë ambient të favorshëm për një zhvillim më të hovshëm ekonomik”.

Ajo tregoi se ky manifestim nis me 10 nëntor në Mitrovicë, ndërsa më 14 nëntor në Prishtinë, në Hotelin Grand do të bëhet ekspozimi i prodhimeve vendore; për të vazhduar me aktivitete të ndryshme nëpër tërë territorin e Kosovës, në Bosnje e Hercegovinë, Linz të Austrisë, Shqipëri, Maqedoni, Mali i zi, Luginë e Preshevës, Turqi dhe në vendet e BE-së me aktivitete promovuese, konferenca, tryeza, analiza hulumtuese etj. Po ashtu do të mbahet Forumi Ndërkombëtar Biznesor, si dhe do të hapet Qendra me prodhime vendore në Ferizaj më 14 dhjetor, kur edhe do të përmbyllen aktivitet e “Javëve të Biznesit Kosovar 2016”.

akb

akb1

akb2

Të ngjashme