E veçantë dhe emocionuese ceremonia e përcjelljes së kontigjentit të tetë, që u nisën këtë të premte nga Vau i Dejës drejt Kabulit në Afganistan.
Fëmijët e efektivëve të Batalionit të Parë të Këmbësorisë në Vaun e Dejës kanë qenë vizitorët e veçantë, të cilët kanë festuar 1 Qershorin me efektivët dhe kanë falur shumë emocione në ceremoninë e përcjelljes së 30 ushtarakëve drejt Afganistanit, transmeton EO.
Në fjalën e tij përshëndetëse, zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi uroi të gjithë fëmijët dhe shprehu krenarinë që Forcat e Armatosura janë kudo në gatishmëri dhe punojnë fortë për një të ardhme më të mirë të fëmijëve.
“Meqë ne jemi të angazhuar që e ardhmja e popullit tonë të jetë e fortë, të jetë vitale, të jetë e sigurt, i bëj thirrje Shqiptarëve të bëjnë sa më shumë fëmijë, pasi kjo është në të mirë të kombit, kjo është në të mirë të Shqipërisë”, theksoi ai.
Zëvendësministri Koçi, duke përshëndetur efektivët e b1k, u shpreh se Shqipëria modeste në burimet veta materiale financiare vazhdon të kontribuojë dhe të zgjerojë misionet e veta ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, por pa prekur nivelin e trajtimit të ushtarakëve në këto misione.
“Ne sot nisim 30 djem të tjerë në Afganistan dhe po ashtu dhe brenda pak ditësh dhe bashkë me këta madje do të nisim një kontingjent shtesë. Së fundmi qeveria mori një vendim për të shtuar efektivin tonë pjesëmarrës në misionin në Afganistan. Sepse ne duam i dëshmojmë botës se nuk jemi NATO për numër ne nuk jemi në NATO thjeshtë për një prezencë flamuri ne jemi në NATO për të shprehur me kontribut konkret duke rrezikuar efektivët tanë në misione delikate”, përfundoi fjalën e tij Petro Koçi.
Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollçakuu bëri edhe njëherë thirrje të gjithë të rinjve të komunitetit të bashkohen në FA , sepse aty do të gjejnë vendin e duhur për t’i shërbyer atdheut, për të treguar se kush janë, por edhe për të aftësuar veten, qoftë nga ana fizike e intelektuale por edhe mundësi për edukim kualifikim.