Kanë kaluar më shumë se tre vjet qëkurse Kontratës së përgjithshme kolektive i ka skaduar vlefshmëria dhe kjo po ua pamundëson shumë punëtorëve në Kosovë që t’i gëzojnë të drejtat e tyre që dalin nga kjo kontratë.
Zyrtarë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale thanë për KOHËN se në vitin 2018 Këshilli Ekonomiko–Social kishte mandatuar Komisionin profesional për legjislacionin trepalësh, i cili ka punuar në negocimin dhe hartimin e Marrëveshjes së re kolektive.
Fatime Avdyli–Rexhepi, udhëheqëse e Sekretariatit në Këshillin Ekonomiko–Social të Kosovës, tha se kjo draft-marrëveshje është miratuar në parim, mirëpo për shkak të zhvillimeve politike kishte mbetur vazhdimisht pa u miratuar dhe nënshkruar.
“Pas formimit të qeverisë së re, Këshilli Ekonomiko–Social përsëri ka iniciuar negocimin e Marrëveshjes kolektive. Komisioni përkatës, që funksionon në kuadër të KES-it, ka arritur ta përfundojë draft-marrëveshjen. Në të njëjtën kohë ishte mandatuar Komisioni profesional për financa, ekonomi dhe privatizim që të kryejë analizimin e kostos financiare të kësaj marrëveshjeje. Ky komision ka nxjerrë rekomandim për koston shtesë, si dhe koston totale të marrëveshjes. Rekomandimi ka qenë planifikuar të prezantohej në takimin e radhës së Këshillit Ekonomiko–Social dhe të vendoset për hapat që do të ndërmerren lidhur me caktimin e datës për nënshkrimin e saj. Përsëri, për arsye të zhvillimeve të fundit politike, ky takim nuk është mbajtur dhe si rezultat nuk është përfunduar ky proces”, ka thënë Avdyli–Rexhepi.
Kontrata e përgjithshme kolektive parasheh ndër të tjerash që me rastin e pensionimit punëtorët të gëzojnë edhe tri paga shtesë, mirëpo kjo nuk po zbatohet nga ana e punëdhënësve në sektorin privat, për shkak të skadimit të afatit të Kontratës kolektive. Ndërkaq, në sektorin publik kjo çështje po rregullohet me rregullore të brendshme.
“I punësuari, me rastin e pensionimit, gëzon të drejtën në pagesën përcjellëse në lartësi prej tri (3) paga mujore, që i ka marrë për tre (3) muajt e fundit”, thuhet në dokumentin e marrëveshjes.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, thotë se Kontrata kolektive ishte dashur të nënshkruhej këto ditë, sipas njoftimeve që kanë dalë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Azemi thotë se në sektorin privat mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që asgjë të mos zbatohet.
“Te sektori privat nuk po zbatohet asgjë hiç, pagat jubilare kanë mbetur te punëtorët e sektorit publik, mjafton një shkëndijë e vogël dhe në sektorin privat nuk zbatohet asgjë”, u shpreh ai.
Kryetari i BSPK-së, Avni Ajdini, i pyetur për këtë, kërkoi t’i referohemi një komunikate të lëshuar nga ky institucion, mirëpo në komunikatë vetëm shprehet dëshira që të arrihet marrëveshja edhe për Kontratën e përgjithshme kolektive, pas nënshkrimit të Kontratës kolektive për sektorin e Arsimit mes Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut, dy ditë më parë.
“Besojmë se duke ndjekur këta shembuj të mirë të bashkëpunimit e marrëveshjes do të punohet shumë edhe në nënshkrimin e Marrëveshjes së përgjithshme në nivel vendi”, thuhet në komunikatë.
Në institucionin e Avokatit të Popullit thonë se gjatë tre vjetëve të fundit ka pasur shumë ankesa nga punëtorë të sektorit privat për shkak të shkeljeve të të drejtave të tyre.
Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, punëtorët në Kosovë nuk janë mirë të informuar për ligjet dhe të drejtat që u takojnë.
“Përgjatë periudhës 3-vjeçare 2018, 2019 dhe 2020, Avokati i Popullit ka pranuar 145 ankesa dhe ka hetuar 38 raste. Ankesat janë nga sektori privat i punësimit dhe ato kanë të bëjnë kryesisht me punësim pa kontratë pune, shkëputje të kontratës së punës pa njoftime paraprake, mospagesë të të ardhurave mujore, ndalesë në pagë mujore pa arsyetim, mosdhënie e pushimit vjetor, orar i zgjatur i punës dhe pa kompensim, mospagesë e pushimit të lehonisë, mosnjohje dhe pagesë e pushimeve mjekësore, kushte të rënda të punës, mossigurim në punë, etj.”, thuhet në një përgjigje të këtij institucioni për KOHËN.
Sipas Avokatit të Popullit, te raste të cilat Avokati i Popullit i ka hapur për diskriminim në punë, pas analizimit të rasteve ka kërkuar nga punëdhënësit që të eliminohen veprimet diskriminuese lidhur me të drejtën e punës, por në disa raste është paraqitur në cilësinë e mikut të gjykatës në proceset gjyqësore të cilat zhvillohen në gjykata për palët e ankuara.
Marrëveshja e parë e përgjithshme kolektive e Kosovës ka hyrë në fuqi më 1 janar të vitit 2015, afati i vlefshmërisë i së cilës, sipas nenit 90, paragrafi 4 të Ligjit të Punës, ishte tre vjet.
Marrëveshja ishte nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Aleancës Kosovare të Biznesit, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Këshillit Ekonomik–Social.