Një kontratë për transferimin që nuk po konkretizohet dot ka futur në telashe dy emra të njohur shqiptarë të futbollit në Zvicër, Imran Bunjakun e Shqiprim Berishën. Bunjaku së fundi ka qenë kapiten i Schaffhausenit, skuadrës që po pretendon kalimin në Superligën e Zvicrës. Mesfushori 28-vjeçar është zhvilluar te Grasshopperi, ndërsa prej vitit 2014 është te Schaffhauseni.
Shqiprim Berisha është drejtor menaxhues i Grasshopperit, klubit më të suksesshëm në histori të futbollit zviceran. Grasshopperi, që ka 27 tituj të kampionit, papritur është larguar nga elita edicionin e kaluar dhe tani po lufton për kthim të menjëhershëm.
Grasshopperi firmosi me Bunjakun më 15 shkurt, por nuk e ka lënë lojtarin të ushtrojë fare me skuadër. Bunjaku tani ka angazhuar një avokat dhe do të takohet me Grasshopperin së shpejti.
Gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka shkruar për kaos total të transferimeve te Grashopperi lidhur me këtë lëvizje të mbetur pezull të Bunjakut.
Bunjaku më 15 shkurt ishte përshëndetur me bashkëlojtarët te Schaffhauseni dhe i kishte njoftuar ata se ka firmosur një kontratë të majme te Grasshopperi. Sipas Bunjakut, kontrata është e vlefshme deri në verën e vitit të ardhshëm.
Por, duket se ka pasur një lëshim serioz te Grasshopperi. Sipas Blick, te Grasshopperi e kanë vërejtur që më nuk ka vend në listën e kontingjentit dhe për këtë arsye Bunjaku nuk do të luajë për këtë skuadër këtë edicion. Lista e kontingjentit rregullon numrin e lojtarëve mbi 21 vjet në një skuadër. Ajo është e mbushur te skuadra me nam.
Bunjakut, pos që i është ndaluar të ushtrojë me skuadrën, i është kërkuar ta shkëputë kontratën.
Sipas Blick, Shqiprim Berisha nuk dëshiron të dijë asgjë për këtë. Sipas Berishës, Imrani pritet në skuadër në verë.
“Nuk mund të them asgjë për detajet e kontratës. Është arritur marrëveshje që detajet të mos zbulohen”, ka thënë Shqiprim Berisha, drejtori menaxhues i klubit të madh.
Schaffhauseni është rivali i madh i Grasshopperit për kalim në elitë. GC është i pari me 45 pikë, ndërsa Schaffhauseni i dyti me 41. I pari kualifikohet direkt, i dyti shkon në plejof.
Blick ka pyetur nëse te GC e kanë ditur se lista është e mbushur dhe me qëllim kanë dashur ta dobësojnë rivalin e madh.
Te Schaffhauseni vlerësojnë se kontratat janë korrekte dhe valide. Sipas Blick, është arritur pajtimi për të paguar dëmshpërblim prej 200 mijë eurosh, porse paratë nuk janë transferuar ende. Bunjaku kishte kontratë vetëm deri në verë.
Bunjaku vetëm të premten ka folur për këtë çështje: “më 15 shkurt kam firmosur kontratë legale me GC për një vit e gjysmë, me efekt të menjëhershëm”, është deklarata e vetme e mesfushorit.
Te GC supozojnë që Bunjaku mund të luajë ndeshje për Schaffhausenin këtë edicion. Teorikisht kjo është e mundur. Ai është në listën e Schaffhausenit deri në fund të edicionit, sipas rregullave të ligës. Por, së pari duhet të shkëputet kontrata e lidhur me GC. Kjo nuk pritet të ndodhë. Lojtari ka angazhuar avokat dhe së shpejti do të takohet me menaxhmentin e GC.
Bunjaku ishte pjesë e Shqipërisë U21 dhe i luajti 13 ndeshje. Në vitin 2014 luajti tri ndeshje për Kosovën A dhe realizoi një gol.
Te Grasshopperi janë Ermir Lenjani e Shkëlqim Demhasaj.