Gjashtë kontrata dhe disa anekskontrata të nënshkruara nga Telekomi i Kosovës gjatë periudhës 2009-2018 janë dorëzuar në Departamentin e krimeve ekonomike nga Sindikata e punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.
Sipas kësaj sindikate, këto kontrata e kanë dëmtuar ndërmarrjen, duke e sjellë në gjendjen në të cilën është aktualisht, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i Federatës Sindikale të PTK-së, Lami Balaj, gjatë dorëzimit të tyre ka thënë se disa prej kontratave janë milionëshe, ndërsa mes tyre është edhe kontrata për operatorin virtual “Z-mobile”.
“Ne besojmë fuqishëm se duhet të zbardhen të gjitha ato që i kanë ndodhur Telekomit të Kosovës, duke filluar nga këto kontrata që i kemi dorëzuar dhe kontratave të tjera në Telekom. Një prej tyre është kontrata milionëshe me ‘Z-mobile’ dhe të tjera që janë më të vogla në shifra, mirëpo që i kanë shkaktuar miliona dëme Telekomit të Kosovës”, ka theksuar Balaj.
Tutje, ai ka folur edhe për propozimin e Qeverisë për ulje pagash të punëtorëve të Telekomit. Balaj ka pranuar se në takimin e javës që shkoi me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Bordin e ndërmarrjes është diskutuar edhe për pagat. Mirëpo ka thënë se është vendim i prerë i Sindikatës që pagat të mos ulen. Daljen nga kriza financiare ai e sheh përmes hetimit të kontratave që janë bërë gjatë kësaj periudhe në këtë ndërmarrje.