Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike sot me datën 22.03.2023 ka zhvilluar një operacion në rajonin e Pejës sipas Planit Operativ të përcaktuar, ku janë kontrolluar dhjetë (10) subjekte biznesore – barnatore për të cilat ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se të njëjtat biznese janë duke shitur produkte farmaceutike pa banderola, dhe të njëjtat produkte dyshohet se janë të kontrabanduara dhe të rrezikshme për jetën e qytetarëve.
Ky operacion ka qenë i koordinuar së bashku me Doganën e Kosovës (Njësia e Antikontrabandës) dhe Inspektorët Farmaceutik nga Ministria e Shëndetësisë.
Janë kontrolluar dhjetë (10) barnatore ku në gjashtë (6) prej tyre është gjetur sasi e konsiderueshme e produkteve farmaceutike pa banderola.
Tre (3) pronarë të bizneseve-barnatoreve janë shoqëruar në Stacion Policor dhe janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve lidhur me veprat penale të cekura më lartë.
Në disa barnatore janë pronarët e njëjtë të disa barnatoreve në qytetin e Pejës.
Është konfiskuar sasia e barnave pa banderola që dyshohet se janë të kontrabanduara, me procedura të cilat do të merret më tutje njësia e Antikontrabandës nga Dogana e Kosovës, kurse Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike (SHKE-DHKEK) nga Policia e Kosovës procedon lëndën në aspektin penal pranë Prokurorisë kompetente.
Pas intervistimit personat e dyshuar me urdhër të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë janë liruar në procedurë të rregullt, kurse rastet iniciohen për “Prodhim dhe shpërndarje të produkteve të dëmshme mjekësore” dhe “ Kontrabandim të mallrave”.