Në hyrje të Prishtinës që nga ora 20:00 e së premtes janë vendosur pjesëtarë të Policisë të cilët po kontrollojnë çdo veturë që hyjnë në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Për shkak të kontrolleve të rrepta nga Policia në hyrje të kryeqytetit nga Mitrovica mëngjesin e së shtunës janë krijuar edhe kolona.
Për shkak të rasteve në rritje të të prekurve me Coronavirus, Qeveria e Kosovës në bashkëveprim me Ministrinë e Shëndetësisë, shpallën për qytetarët masa të reja.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, të datës 6 nëntor deri në orën 05:00 të 9 nëntorit.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna për: Prishtinën, Fushë-Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.
Në komunat e lartë cekura ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të datës 6 nëntor deri në orën 05:00 të 9 nëntorit.