Kontrolle të rrepta për sigurinë dhe ndotjen akustike në bregdetin shqiptar

Prishtinë | 28 Qer 2018 | 14:53 | Nga

Tiranë, 28 qershor – Tolerancë zero ndaj të gjithë subjekteve që nuk do të respektojnë ligjet dhe do të cenojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik, bën të ditur ATSH.

Kështu deklaroi ministri i Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Turizmit në qarkun e Durrësit, plazhet e të cilit janë nën patronazhin e katër ministrave të qeverisë; ministrit Klosi, ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, ministrit të Diasporës, Pandeli Majko dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Në takimin e mbajtur në prefekturën e Durrësit, bashkë me ministrat e përfaqësues të pushtetit lokal, ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga biznesi i turizmit.

Prej datës 1 korrik nuk do të ketë asnjë tolerancë apo negociim për ata që shkelin zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, për subjektet që nuk kanë rojet e plazhit por edhe për lokalet, apo baret që shkaktojnë ndotje akustike dhe shkelin rregullat e vendosura nga bashkia.

Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u ndal në 3 detyrat kryesore të institucioneve të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik; garantimi maksimal i pastërtisë, siguria në plazhe dhe rritja e standardeve të mikpritjes.

“Kemi shumë nevojë që ato 3 detyrat kryesore qe i kemi vene vetes për sezonin turistik janë garantimi maksimal i pastërtisë dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për pastërtinë nga punonjësit e bashkisë, nga stafi i bashkisë për pastrimin e mbetjeve urbane”, nënvizoi Klosi duke shtuar se ajo duhet të jetë e padiskutueshme.

Ministri Klosi tha se: “Durrësi për qeverinë shqiptare, por edhe për biznesin besoj, vazhdon të jetë poli kryesor i turizmit në vend. Zona e Golemit dhe zona e Gjirit të Lalëzit dhe zona e plazhit, të treja së bashku presin turistë mbase sa e gjithë Shqipëria dhe sidomos turistë të huaj dhe prandaj kemi shumë nevojë që të kemi rigorozitet në zbatimin e detyrave”.

“Ka ardhur koha të kuptojmë që në qoftë se ne bëjmë një sezon realisht të suksesshëm ne kemi sjelle shumë më tepër para, shumë më tepër mirëqenie, shumë më tepër punësim për banorët e këtij komuniteti, por në radhë të parë kemi ndryshuar imazhin e turizmit shqiptar dhe jemi në fazën që realisht kemi shumë prurje por kemi nevojë që struktura, industria të punojë si një e tërë”, tha Klosi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi theksoi se “sfida e këtij sezoni është siguria ushqimore për të cilën kreu i Bujqësisë tha se është forcuar inspektimi, i paraprirë nga vetëkontrolli i subjekteve”.

Ndërsa ministri Majko kërkoi nga Task-Forca e turizmit që të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë pa shqetësuar turistët vendas dhe të huaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme