Deputeti Korab Sejdiu, i cili në zgjedhje garoi në listën e koalicionit LAA si anëtar i AKR-së, ka dhënë dorëheqje nga partia e tij (7 shtator) në kohën kur AKR e Behgjet Pacollit njoftoi për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje me koalicionit PAN.
Nga ajo kohë, Sejdiu ka qëndruar si deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës.
Ndonëse është folur shumë për një kalim të tij të mundshëm në radhët e LDK-së, ai vazhdimisht e ka mohuar një gjë të tillë.
Mirëpo, në një fotografi të postuar në Facebook nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ku deputetë të rinj të kësaj partie po marrin pjesë në një trajnim të organizuar nga NDI, OSBE e KDI, pjesëmarrës është edhe deputeti Korab Sejdiu.
“Trajnimi i deputetëve të rinj të LDK-së nga NDI, OSBE, KDI etj, për një parlament funksional me deputetë të përgjegjshëm”, ka shkruar Avdyli në postimin e tij në Facebook.
Ndërkaq, Koha.net ka kontaktuar me deputetin Sejdiu, i cili ka thënë se vazhdon të mbajë mandatin e tij si deputet i pavarur “dhe kjo çështje mbetet e pandryshuar”.
“Në të ardhmen do të vendosi nëse në kontekst të përkatësisë politike do të vazhdoj angazhimin, dhe nëse po, atëherë a do t’i bashkohem ndonjë subjekti politik. Në kontekst të Grupit Parlamentar, unë vazhdoj të jem aty ku kam qenë nga fillimi, pra jam pjesë e Grupit Parlamentar ku janë edhe LDK dhe Alternativa, në kuadër të së cilit grup, pra jam si deputet i pavarur”, ka thënë ai për Koha.net.