Korea e Veriut tërhiqet nga zyra ndërlidhëse me Jugun

Prishtinë | 22 Mar 2019 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Koreja e Veriut u tërhoq nga zyra ndërlidhëse me Korenë e Jugut, e cila u hap vitin e kaluar dhe u cilësua si hap drejt përmirësmit të marrëdhënieve.

Zyrtarët jugkoreanë thanë se u njoftuan të premten me vendimin dhe se stafi verikorean do të tërhiqet gjatë ditës.

Seuli shprehu keqardhje dhe i bëri thirrje Phenjanit që të rikthejë përfaqësuesit.

Ky zhvillim pason një samit të dështuar midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe udhëheqësit verikorean, Kim Jong Un, muajin e kaluar, në Hanoi.

Dy liderët u takuan për të biseduar rreth çarmatosjes së Koresë së Veriut, por takimi përfundoi pa marrëveshje, pasi Shtetet e Bashkuara i refuzuan kërkesat e verikoreanëve për të hequr sanksionet ndaj shtetit të tyre, në këmbim të kufizimit të programit bërthamor.

Zyra ndërlidhëse, e vendosur në qytetin kufitar verikorean Kaesong, u ka mundësuar zyrtarëve nga Koreja e Veriut dhe e Jugut që të komunikojnë në baza të rregullta, për herë të parë që nga lufta në Gadishullin Korean, në vitet 1950.

Kur është hapur në shtator të vitit 2018, zyra është cilësuar si hap i rëndësishëm përpara në marrëdhëniet ndërkoreane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme