Koreja e Veriut ndaloi një shtetas amerikan

Prishtinë | 24 Pri 2017 | 09:23 | Nga

Koreja e Veriut ka ndaluar një shtetas amerikan, duke çuar në tre numrin e amerikanëve që po mbahen atje.

Park Chan-mo, kancelar i Universitetit të Phenjanit për Shkencë dhe Teknologji, tha se amerikani Tony Kim është arrestuar më 22 prill.

Park tha se Kim, i cili është 58 vjeç, është kapur nga zyrtarët pasi ka bërë përpjekje të ikë nga aeroporti ndërkombëtar i Phenjanit.

Një zëdhënës i Universitetit tha se ai ka provuar të ikë bashkë me gruan e tij në Kinë.

Kim ka ligjëruar lëndën e kontabilitetit në universitet për rreth një muaj.

Ambasada e Suedisë në Phenjan tha se është në dijeni për ndalimin e një shtetasi koreano-amerikan, porse nuk mund të komentojë tutje.

Ambasada kujdeset për çështjet konsullore të SHBA-së në Korenë e Veriut, sepse dy vendet nuk mbajnë lidhje diplomatike.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit tha se është në dijeni për arrestimin e një shtetasi amerikan, por refuzoi të komentojë më shumë.

Arrestimi vjen në kohën kur tensionet midis Uashingtonit dhe Phenjanit janë të larta për shkak të programeve bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut.

Së paku edhe dy amerikanë të tjerë janë të ndaluar në Korenë e Veriut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme