Koreja Veriore hedh raketë balistike në det në drejtim të Japonisë

Prishtinë | 19 Tet 2021 | 08:50 | Nga Ekonomia Online

Koreja Veriore ka hedhur një raketë balistike që lëshohet nga nëndetësja në ujërat në drejtim të Japonisë, tha ushtria e Koresë Jugore.

Të martën, Shtabi i Përgjithshëm i Koresë Jugore tha se një raketë është hedhur nga porti i Sinpos, në lindje të Koresë Veriore, ku Pjongiangu zakonisht i mban nëndetëset. Raketa ra në Detin Lindor, i njohur ndryshe edhe si Deti i Japonisë.

Mediet e Koresë Jugore raportuan se kjo raketë besohet se ka fluturuar rreth 430 deri 450 kilometra, me lartësinë maksimale nga toka prej 60 kilometrash.

Koreja Veriore e ka të ndaluar nga Kombet e Bashkuara që të testojë raketa balistike dhe armë bërthamore, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, tha se Koreja Veriore ka hedhur dy raketa, duke e cilësuar veprimin “shumë për keqardhje”.

Koreja Veriore së fundi ka kryer disa testime armësh, pavarësisht sanksioneve të rrepta ndërkombëtare. Në anën tjetër, Koreja Jugore gjithashtu po zhvillon armë të sofistikuara. Analistët thonë se këto veprime janë shndërruar në garë armatimi në Gadishullin Korean.

Të ngjashme